Presidenti amerikan, Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jingping. Fotografi nga arkivi.
NYT: Liderët botërorë kërkojnë stabilitet me Kinën derisa Bideni po largohet
Derisa ishin mbledhur javën e kaluar në Amerikën Jugore, shumë prej liderëve të botës u përfshin në një vallëzim diplomatik me presidentin kinez, Xi Jinping, shkruan që në krye të shkrimit gazeta prestigjioze, “The New York Times”, në një analizë të publikuar më 20.11.2024 për përpjekjet e Kinës për fuqizim në skenën botërore, në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalojnë nëpër një fazë transitore pushteti me Joe Bidenin që pritet t’ia dorëzojë në janar pushtetin presidentit të zgjedhur, Donald Trump.
Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë thirrje për marrëdhënie “konsistente, të qëndrueshme” me Kinën. Anthony Albanese, kryeministër i Australisë, u zotua se do të tregohet “i durueshëm dhe i kalibruar” në raport me Pekinin zyrtar. Presidenti Biden ka premtuar se nuk do të lejojë që “konkurrenca të rrëshqasë në konflikt”, edhe në kohën kur po bëhet gati për t’ia dorëzuar stafetën e pushtetit Trumpit, i cili kaherë është zotuar se do të ketë konfrontim me Kinën për tarifat.
Mal mosmarrëveshjesh me Kinën
Dhe derisa Shtetet e Bashkuara po kalojnë nëpër fazën transitore të pushtetit, presidentë dhe kryeministra nga mbarë rruzulli tokësor po kërkojnë stabilitet, sidomos kur vjen puna te raportet me Kinën. Xi në deklarimet e tij gjatë samitit të mbajtur në Peru, i deklaroi Bidenit se dëshironte marrëdhënie “stabile, të shëndosha dhe të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por qëndrueshmëria që liderët e botës po e kërkojnë me Kinën po kërcënohet prej një mali me tema të ndërlikuara që datojnë prej temave të ndryshme deri te ato që u manifestuan në samitin e Rio De Zhaneiros, takim i Grupit 20 që përfundoi të martën.
Gazeta njujorkeze shkruan se konfliktet me Kinën lidhen prej çështjes së të drejtave të njeriut, fatit të Tajvanit, garës teknologjike, sulmeve kibernetike, ndihmës për Rusinë e deri te çështja e tarifave.
Dhe pavarësisht madhështisë së mbylljes së gjysmëshekullit të Bidenit në skenën botëror ka nja paqartësi të madhe për rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë në mënyrën e menaxhimit të çështjeve që mund të çojnë drejt konflikteve.
Vendime përcaktuese për të ardhmen
Në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në shtator, Biden do të deklaronte se bota ndodhet në “një pikë tjetër kthese” dhe shtoi: “Zgjedhjet që bëjmë sot do të përcaktojnë të ardhmen tonë për dekadat e ardhshme”.
Kur vjen puna te Kina, homologët e tij shpresojnë që zgjedhjet e tyre të jenë të duhurat.
“Udhëheqësit evropianë do ta shohin presidentin Xi me këtë lloj qasje ‘Tani ju duhet të rriteni’”, ka deklaruar John Delury, historian i Kinës moderne. “Kjo nuk është më vetëm punë muhabeti. Ne me të vërtetë duam ta lartësojmë këtë marrëdhënie në mënyrë që të mund të mbështetemi tek ju”.
Nga ana e tij, presidenti i Kinës përdori samitin e G20-ës që të promovojë vendin e tij si mbështetës dashamirë i tregtisë së hapur dhe stabilitetit ndërkombëtar. Udhëheqësit kinezë kanë ofruar prej kohësh përmbajtje qetësuese në fjalime për audiencën globale, por Xi dhe këshilltarët e tij duket se shpresojnë se liderët e huaj do të jenë më të hapur ndërsa përgatiten për tendosjet dhe pasiguritë e një mandati të dytë të Trumpit.
Paralajmërimi kinez
Vendet duhet “të shohin zhvillimin e njëri-tjetrit si një mundësi, jo si një sfidë, dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin si partnerë, jo kundërshtarë”, u tha Xi udhëheqësve të hënën, thuhet në njoftimin zyrtar kinez.
Por Xi bëri gjithashtu një paralajmërim të nënkuptuar për liderët e tjerë të pranishëm. Përderisa premtoi se do t’i përmbahej angazhimit për “respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin e dobishëm”, udhëheqësi kinez deklaroi gjithashtu se “pozicioni ynë për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës mbetet i pandryshuar”.
Ky paralajmërim u theksua në samitin e së hënës gjatë një sesioni hapjeje me vërejtje nga secili udhëheqës. Kamerat televizive po funksiononin kur kryeministri britanik Starmer dha komentet e tij. Por kur ai përmendi shqetësimet për të drejtat e njeriut në Kinë dhe trajtimin e Jimmy Lait, biznesmen nga Hong Kongu dhe disident pro-demokracisë, përfaqësuesit kinezë në sallën e madhe të konferencave lëvizën me shpejtësi për të bllokuar pamjen e kamerave dhe për t’i nxjerrë gazetarët nga salla.
Ishte një shenjë e qartë përkujtuese sesa e zorshme ka qenë gjithnjë diplomacia me Kinën, vlerëson “The New York Times”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com