Nxirren trupat e pajetë të punonjësve të minierës së Artanës

Ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe togjet e shpëtimit të minierave të Kosovës kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të viktimave të tragjedisë që ka ndodhur të martën rreth mesditës në minierën e Artanës.

Trupi i Idriz Gerbeshit, xehetar me banim në Hajvali dhe ai i Haki Arifajt, inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc i Lipjanit, janë nxjerrë pak pas mesnatës.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com Fatmir Gërguri, kryeinspektor i Komisionit për miniera dhe minerale.

Idriz Gerbeshi e Haki Arifaj kanë humbur jetën nga një shembje që ka ndodhur në galeritë e minierës.

Sipas kryeinspektorit, trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion

Në operacionin e kërkimit kanë marrë pjesë njësi të FSK-së, të togut të shpëtimit të minierave të Kosovës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishme edhe ekipe të Zjarrfikësve, të Policisë dhe autoambulancat.