Foto: CNN

Nxënësve indianë u vihet paketë në kokë gjatë provimit për të parandaluar kopjimin

Një shkollë në Indi ka kërkuar falje pasi dolën foto se si nxënësit mbanin kuti kartoni në kokë gjatë një provimi për të mos kopjuar, raporton CNN.

Kolegji Parauniversitar Bhagat në Haveri, në shtetin jugperëndimor të Karnataka të Indisë, zbatoi një masë të re të mërkurën e kaluar, sipas shefit të menaxhimit të shkollës M.B. Sateesh.

Një anëtar i stafit fotografoi nxënësit ulur në rresht, kokat e të cilëve ishin të mbuluara nga kutitë e kartonit.

Pjesa e përparme e kutive ishte prerë, duke lejuar nxënësit që të shohin vetëm tavolinat e tyre dhe fletët e provimeve, ngjashëm si te kuajt që vendosen pllakëzat për t’ua kufizuar shikimin.

Fotografitë janë postuar në Facebook nga një anëtar i stafit dhe menjëherë janë bërë virale.

Për shumë kohë shkolla është përballur me kritika të ashpra në mediet sociale.

Edhe zyrtarët qeveritarë kishin reaguar, S. Suresh Kumar, ministri shtetëror i Arsimit, tha se praktika e shkollës ishte “e papranueshme”.

“Askush nuk ka të drejtë të trajtojë nxënësit si kafshë”, shkroi Kumar.

Shkolla u ka dhënë autoriteteve një shpjegim me shkrim dhe ka kërkuar falje, tha Sateesh.

Foto: CNN