Nxënësit refuzojnë të kthehen në objektin e vjetër të shkollës 'Gjon Sereçi'

Nxënësit e klasës së shtatë në shkollën fillore “Gjon Sereçi” në Ferizaj kanë zhvilluar mësimin online, për shkak se në objektin në të cilin zhvillojnë mësimin është i vjetër.

Prindi i një nxënësi ka shkruar në adresën e KALLXO.com për vijimin e mësimit nga distanca.

“Unë si prind jam shumë e zhgënjyer në platformën online, fëmijët kanë nevojë shumë me qenë fizikisht në shkollë”, ka thënë prindi.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e shkollës, Nazim Hedën, i cili ka bërë të ditur se nxënësit e klasës së shtatë janë duke zhvilluar mësimin në objektin e vjetër, ndërsa klasat tjera të shkollës janë të vendosura në objektin e shkollës së mesme të Mjekësisë “Elena Gjilka”.

“Për shkak të rrethanave jo të mira atje, nxënësit po duan që të tërhiqen, tash po duan me ardh këtu, tri ditë kanë zhvillu mësimin online, kurse tash po duan që me u kthy në objekt të ri”, ka thënë Heda.

Në anën tjetër, Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj ka thënë se prindërit kanë kërkuar që nxënësit të mos kthehen në objektin e vjetër.

“Jemi taku me Këshillin e Prindërve, kemi takim edhe sot për me shiku se cila është mundësi. Ne po pretendojmë që me përfundimin e këtij gjysmë vjetori do të zgjidhen të gjitha problemet”, ka thënë Llabjani.

Aktualisht në objektin e vjetër të shkollës “Gjon Sereçi” janë vendosur nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani”.