Nxënësit kthehen në bankat shkollore, me maska e distancë

“Nëse e mban maskën nuk infektohesh”, thotë Ensar Reka, nxënës i klasës së gjashtë në Shkollën Fillore, “Tefik Çanga”, në Ferizaj, përderisa në fytyrë mbante maskën dhe qëndronte në distancë nga shokët dhe shoqet e tij, duke pritur mësuesen që t’i thërriste për të hyrë brenda objektit shkollor.

Për Ensarin mësimi në objektin shkollor është më i përshtatshëm sesa mësimi i zhvilluar online.

“Me mësu me kompjuter nuk më ka pëlqy se ka pas zhurma ose s’ka pas rryma ose interneti s’ka bë.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër babai i Ensarit nga larg priste derisa djali i tij të hynte në klasë dhe përshkruan se fillimi i viti shkollor është i vështirë për prindërit.

“Në shkolla më mirë, sepse është ndryshe kur e ka mësuesin përballë, ndryshe është me telefon. Online nuk bëjke rrjeti, u ndërprejke.”, ka thënë Nysret Reka.

Ndërsa, Saranda Xhemajli me vajzën e saj ecnin në rrugën e cila të dërgonte tek objekti në të cilën ishin vendosur mësuesit e shkollës “Gjon Sereçi”.

“Ndjenja është pak e quditshme, si çdo nënë që e pret fëmijën e vet me fillu vitin shkollor me gjithë të mirat, kjo është në kushte jonormale”, ka thënë ajo.

Xhemalji mendon që nëse nuk plotësohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e mësimit, të vazhdohet me mësimin online.

“Nëse kushte nuk janë mirë, ndoshta kish me qenë me mirë me vazhdu mësimin online”, ka shtuar ajo.

Për mësuesen Shukrije Osmani, maskat po u pamundësojnë nxënësve që të shohin buzëqeshjen e tyre, por  mësimi në klasë sipas saj është me i efektshëm sesa mësimi në distancë.

“Me klasën e parë është pak e vështirë duke fillu nga distanca, nxënësit kanë dëshirë me pas socializim edhe maskat po na e zbehin pak buzëqeshjen ndaj tyre. Për mendimin tim mësimi online nuk ka qenë tepër efektiv, mësimi në shkollë është dukshëm më i mirë se mësimi online.”, ka thënë ajo.

Në shkollat e Komunës së Ferizajt janë vendosur sinjalizime dhe broshura për respektimin e rekomandimeve për t’u mbrojtur ndaj COVID-19.

Në hyrje të çdo shkollë nxënësit priten nga mësueset e tyre në hyrje dhe rregulli kryesore janë të mbahet distanca, të gjithë nxënësit të kenë maska dhe të bëhet matja e temperaturës.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi të filloj në dy faza, sot ka filluar faza e parë me institucionet parashkollore, klasat 1,2 3 6 edhe klasat 10 në shkolla, ndërsa klasat  4-5 do të fillojë sipas skenarit A.

Ndërsa me 21 shtator do të fillojë mësimi për klasat 7,8,9, 11 dhe 12.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur më 12 mars për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ministria e Arsimit kishte vendosur që mësimi të vazhdojë online.

Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.