Foto: KALLXO.com

Nxënësit e Pozharanit nuk bëhen me shkollë të re deri kah mesi i vitit 2020

Që nga viti 2016 kanë nisur punimet në mes të fshatit Pozharan të Vitisë për ndërtimin e një shkolle të re.

Por, këto ndërtime nuk pritet të përfundojnë deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

Kështu ka njoftuar Ministria e Administratës Publike, e cila menaxhon ndërtimin e shkollës  së re, “Halil Alidemaj” në Pozharan të Vitisë.

Sipas MAP-it, procesi i ndërtimit deri më tani ka arritur në 57 përqind.

Përveç kësaj shkolle, MAP menaxhon edhe disa projekte tjera për ndërtimin e shkollave.

“Konform Memorandumit ndërmjet ministrive (MASHT- MAP) për bartjen e projekteve për shkollat në: Magure, Bajçinë, Ponoshec, Pejë, Pjetershticë, Ratkoc-Rahovec është edhe ajo në Pozharan”, thuhet në përgjigjen e MAP-it për KALLXO.com.

“Vonesat janë shkaktuar në fillim, në  periudhën e marrjea së lejes nga komuna e Vitisë. Më pastaj, sikur edhe në ndërtesat tjera shkollore realizimi i punimeve është bërë në harmoni me mjetet e ndara për çdo vit. Ndërtesa e shkollës në Pozhoran planifikohet  të përfundojë në muajin qershor 2020. Deri tani, progresi i punimeve ka arritur shkallën 57%”, thuhet në fund të përgjigjes.

Tri vjet e gjysmë më parë, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kishte premtuar shkollë të re për nxënësit e fshatit më të madh të kësaj komune, Pozharanit.

Premtimin ai e kishte bërë publik në një debat në emisionin ‘Jeta në Komunë’.

“Shkolla e re tash ka hy në buxhet, sepse shkolla e re na nevojitet aty. Ndërtimi i shkollës së re do të fillojë shumë shpejt… Do të bëhet edhe revitalizimi i kësaj shkollës së vjetër në mënyrë që deri më 2017-ën (të kryhet shkolla e re)”, pati thënë Haliti në emisionin Jeta në Komunë.

Tri vjet pas, godina e shkollës së vjetër qëndron ende në mes të fshatit, por tash e dy javë nxënësit nuk po mund të hyjnë në të për të mbajtur mësim.

Një tërmet që e goditi Shqipërinë më 26 nëntor u ndie edhe në Kosovë.

Dhe shkolla e Pozharanit, në të cilën mësojnë mbi 480 nxënës, duket se pësoi më së keqi nga dridhjet.

Meqë çarjet në strukturën e objektit janë të mëdha, mësimi në këtë shkollë u ndërpre për dy ditë.

Tani, mbi 450 nxënës të Pozharanit vazhdojnë mësimin me orar të shkurtuar në objektin e një shkolle tjetër.

 

.