Shkolla Fillore Selami Hallaçi. Foto: Facebook
Nxënësit e dy shkollave në Gjilan, po mbajnë mësim në një objekt
Në komunën e Gjilanit, dy shkolla fillore janë duke mbajtur mësim me orar të shkurtuar, në po të njëjtin objekt.
Për shkak të punimeve në shkollën fillore ‘Rexhep Elmazi’, nxënësit e kësaj shkolle janë duke mbajtur mësim në objektin e shkollës tjetër, ‘Selami Hallaçi’.
Shkolla “Selami Hallaçi” numëron rreth 1 mijë e 400 nxënës, ndërsa shkolla ‘Rexhep Elmazi’ numëron rreth 1 mijë nxënës, që në total aktualisht afër 2 mijë e 400 nxënës janë duke vijuar mësimet në të njëjtin objekt, me nga 30 minuta orën.
Në një përgjigje për KALLXO.com, drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri, ka thënë se deri në janar të vitit 2023 nuk pritet të kryhet renovimi i shkollës ‘Rexhep Elmazi’.
Ajo ka bërë të ditur se si drejtori nuk kanë planifikuar ende se si do zëvendësohen minutat e humbura, për shkak të orarit të shkurtuar.
“Janë duke e mbajtë mësimin sepse shkolla është në renovim deri me 15 janar, normal sipas afatit ligjor. Edhe është një marrëveshje në mes drejtorit të shkollës ‘Selami Hallaçi’ edhe ‘Rexhep Elmazi’ me e vazhdu aty këtë gjysmëvjetor” – tha drejtoresha Demiri për KALLXO.com.
“Me të vërtetë nuk e kam këtë informatë (për mos pranim teknik), por e marr dhe ju tregoj. Nuk e kemi planifikuar ende (zëvendësimin e orëve), por besoj që po”. – shtoi ajo.
Ndërsa Nevzat Nevzati, drejtor i shkollës ‘Rexhep Elmazi’ tha për KALLXO.com se sot punëtorët kanë filluar punimet brenda objektit, sepse sipas tij, deri tash ka qenë duke u punuar në efiçiencën e objektit të shkollës.
“Prej sot kanë filluar. Ne kërkesën e kemi bo që prej 15 janarit me fillu e po besoj që deri atëherë i përfundojnë punimet, nëse punojnë kështu” – tha drejtori i shkollës, Nevzati.
Ai ka bërë të ditur se cikli i ulët të klasës nga 1 deri në 5, janë duke mbajtur mësimin me një orë shtesë, që të kompensojnë minutat e humbura. Kurse për ciklin e lartë Nevzati ka thënë se nuk ka informatë nga DKA-ja dhe është më problematike.
Kurse në anën tjetër, Florim Maloku, drejtor i shkollës ‘Selami Hallaçi’ tha se mësimi në objektin e shkollës së tij me orar të shkurtuar dhe me nxënësit e shkollës tjetër, është duke u mbajtur prej që ka filluar ky vit shkollor, me 3 tetor.
“Me 30 minuta orën e mësimit e kemi, pak problem. Por e kemi koordinuar, kryetari i komunës ka kërkuar që me iu mundësu atyre. E kemi bo me tre ndërrime, ata e kanë prej orës 14:30 deri në 18:00” – ka thënë Maloku.