Foto: Nuredin Lushtaku, Facebook

Nuredin Lushtaku i bashkohet zyrtarisht koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët dhe E-30

Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku, i është bashkuar zyrtarisht koalicionit parazgjedhor të AAK-së, NISMA-s, Listës Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30.

Në konferencë për media më 26.11.2025, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj tha se me Lushtakun njihen herët “në përpjekje për çlirim e liri të vendit”.

“Zyrtarisht sot, e konfirmojmë që koalicionit tonë AAK – NISMA – Listës Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30, i është bashku Lista Ideal e udhëhequr nga Nuredin Lushtaku, shqiptar i zoti, patriot, luftëtar i hershëm i orëve të para të UÇK-së, komandant i gardës, ka qenë edhe deputet. Njihemi herët, politikisht nuk kemi bashkërrugëtuar, por në përpjekje për çlirim e liri kemi qenë bashkë”- ka thënë ai.

Edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke i uruar mirëseardhje Lushtakut, tha se “ashtu sic ka qenë në luftë pranë ushtarëve, ka vazhduar të jetë krahë qytetarëve të Skenderajt”.

Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku theksoi se Kosovën duhet ta udhëheqin njerëzit që kanë dhënë për Kosovën.

“Besoj që do të kalojmë shumë mirë me një bashkëpunim shumë të sinqertë qysh njihemi herët edhe e dimë vlerën e njëri-tjetrit, i dimë hjekat që janë bërë për vendin, gjaku që është derdhur për këtë vend. Dhe mendoj që Kosovës i ka ardhur koha që duhet me e udhëheq njerëzit që kanë dhënë për vendin, e jo njerëzit që e kanë gjetur të gatshëm çdo gjë dhe mundohen sot që të shfrytëzojnë njerëzinë dhe shtetin dhe të gjitha”- ka thënë ai.

Lushtaku ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Puna e parë publike e tij ishte komandant i Gardës së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Lushtaku ka qenë deputet i legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës, 2014- 2017.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë lidhur marrëveshje për koalicion parazgjedhor në muajin janar të 2024-tës.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur 9 shkurtin e vitit 2025 si datë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.