Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nuredin Ibishi: Në verifikimin e sigurisë nga AKI bëhen pazare

Kandidati për deputet nga LDK, Nuredin Ibishi, ka thënë se verifikimi i sigurisë i cili bëhet nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë bëhet me pazare.

Ai ka thënë se aktualisht ka hapësire që gjatë verifikimit të ketë edhe përzierje të politikës.

“Verifikimi i sigurisë është futur në ligje që të bëhet nga AKI-ja, Departamenti për verifikimin e sigurisë. E aty, bëhen pazaret. Sepse, drejtori i AKI-së kërkon që të nënshkruajë në fund kur të bëhet verifikimi i sigurisë, e ne po themi që drejtori i AKI-së bëhet prej presidentit ose prej kryeministrit, ata merren vesh, aty pastaj ka implikime politike”, ka thënë Nuredin Ibishi.

Në anën tjetër, kandidati për deputet nga LVV dhe ish-ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ka pasur raste kur AKI është drejtuar nga një drejtor pa e kaluar verifikimin e sigurisë.

“Kush e ka fjalën e fundit për verifikimin e sigurisë, kush është ai institucion kredibil. Ke edhe ma keq, ke zyrtar të policisë të cilët nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë dhe janë promovuar në detyrë, bile-bile ka edhe më keq, kanë shkuar, kanë udhëhequr vetë AKI-në. Këtu është një mishmash i madh i cili zgjidhet vetëm kur institucionet të shkapen. Këtu ke një pajtim heshtjeje”, ka deklaruar ai.