Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nura: Kadri Veseli nuk i ka premtuar Bekim Jasharit që PDK-ja nuk do të ketë kandidat në Skenderaj

Fadil Nura, kryetari i ri i Komunës së Skenderajt, ka thënë se Kadri Veseli nuk i ka premtuar Bekim Jasharit se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk do të ketë kandidat në Skenderaj, për zgjedhjet lokale 2021.

Në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’, Jashari gjatë javës së kaluar kishte thënë se Kadri Veseli kishte kërkuar që Bekim Jashari të mos ketë kundërkandidat.

Fadil Nura ka thënë se këto pretendime të Jasharit janë në nivele spekulative pasi, sipas tij, nuk ka asgjë të vërtetë.

“Këto janë nivele spekulative, para 4 viteve e di që jemi dakordu, edhe Kadri Veseli, edhe partia e kemi përkrahur. Unë si sekretar i degës kam dalë në 52 fshatra për me lypë votën, e kam përkrahur. Këtë radhën e dytë, janë nivele spekulative. Ai e përmend, dikush e përmend ndryshe, s’kam qenë aty dhe e vlerësoj si spekulative. Unë e di që nuk ka pasur premtim”, tha Nura në intervistën përballë Jeta Xharrës.

Sipas Nurës, gjithashtu ka pasur edhe takime dhe ‘mbledhje’ nga të cilat Bekim Jashari pretendon që ka marrë atë premtim, por Nura thotë se në këto takime nuk ka pasur një premtim të tillë.

“E di (që kanë ndodhur takimet), por nuk kam shku se kam vlerësu si jo të rëndëishme, kanë qenë takim joformal. Edhe të tjerët e kontestojnë, nuk ka pasur premtim”, tha Nura.