Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Nura: Bekim Jashari ka marrë vendime të jashtëligjshme gjatë qeverisjes së tij

Kryetari i porsazgjedhur i Skenderajt, Fadil Nura, ka kritikuar kryetarin në largim të kësaj Komune, Bekim Jasharin, duke thënë se ky i fundit gjatë qeverisjes së tij ka marrë vendime të jashtëligjshme.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Nura fillimisht tha se nuk ka ‘prishje’ në mes të Bekim Jasharit dhe Sami Lushtakut.

Nura tha se mund të ketë kundërthënie por e pranoi se nuk janë pajtuar me qeverisjen e Bekim Jasharit.

“Kryesisht kemi pasur vërejtje edhe në qeverisje, kur i ka rritur drejtoritë nuk e kemi përkrahur, por gjithashtu edhe gjatë procesit të tij, ka pasur shkelje ligjore. Mundesh me pa në faqen e Komunës, e ke komplet, propozim-vendime në  rendin e ditës në mënyrë të jashtëligjshme, që ia ka kthy MAPL-ja.  Kjo është njëra prej dëshmive, ka edhe të tjera”, tha Nura.

Ai pretendoi se Bekim Jashari i ka thelluar edhe disa antagonizma brenda Komunës.

“Bekimi i ka thellu disa antagonizma brenda Komunës së Skenderajt, brenda strukturave tona. Krijimi i një mentaliteti ‘ti je me këtë, ai është me atë’, kjo vlerësoj që ka qenë gabim. Bekimi ka pasur një mundësi të artë për me dëshmu unitet te të gjithë qytetarët e komunës”, ka thënë Nura në intervistë.