Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti shkon në 41 mijë

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm i javës së kaluar tani është rritur në mbi 41 mijë.

Të mërkurën, dy gra u nxorrën nga rrënojat në qytetin jugor të Kahramanmaras të Turqisë dhe një nënë dhe dy fëmijë u shpëtuan në Antakya nëntë ditë pas tërmetit. Shpëtimi në Antakya erdhi 228 orë pas tërmetit, njoftoi Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Njerëzit që i mbijetuan tërmetit kanë nevojë për ndihmë humanitare, thonë autoritetet e atjeshme, me shumë të mbijetuar të mbetur të pastrehë në temperaturat pothuajse të ulëta të dimrit. Shpëtimet e njerëzve nën rrënoja tani janë të pakta.

Me një pjesë të madhe të infrastrukturës të dëmtuar ose të pafuqishme nga tërmetet, autoritetet shëndetësore po përballen me një detyrë të vështirë në përpjekjen për të siguruar që njerëzit tani të mos sëmurën.

Mirjana Spoljaric Egger, presidente e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, thotë se banorët në Sirinë e shkatërruar nga lufta përballen gjithashtu me sfida të reja.

Pasi e vizitoi Sirinë në ditët e fundit, ajo tha në një deklaratë se “për më shumë se një dekadë, njerëzit në të gjithë Sirinë e kanë përjetuar shkatërrimin e konfliktit të armatosur. Kur tërmeti i 6 shkurtit goditi rajonin, qytetarët pësuan nivele dramatike të shkatërrimit, pavarësisht se në cilën anë të vijës së frontit ishin. Familje të tëra dhe miq u vranë, shtëpitë u shkatërruan dhe njerëzit u zhvendosën përsëri. Kujdesi mjekësor, uji i pijshëm i sigurt dhe burimet e besueshme të furnizimit me ushqim u bënë menjëherë esenciale për mbijetesë.”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar të martën se 35,418 njerëz kanë mbetur të vrarë në tërmetin me magnitudë 7.8 që goditi afër qytetit juglindor të Kahramanmaras më 6 shkurt, duke e bërë atë tërmetin më vdekjeprurës në historinë turke.

Tërmeti, të cilin Erdogan e quajti “katastrofa e shekullit”, shkatërroi dhjetëra mijëra ndërtesa dhe bëri të pabanueshme po aq ndërtesa, duke lënë shumë banorë pa strehë nga temperaturat e ftohta të dimrit. Autoritetet turke i kanë arrestuar disa kontraktorë ndërtimi dhe i kanë akuzuar për shkelje të kodeve të ndërtimit të Turqisë.

Ndërkohë, më shumë se 5,500 vdekje janë konfirmuar në Sirinë fqinje, sipas shifrave të përpiluara nga agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë. Të paktën 1,400 njerëz mbetën të vrarë në zonat nën kontrollin e qeverisë, ndërsa 4,400 të tjerë janë vrarë në veriperëndim të Sirisë, të kontrolluar nga forcat rebele.

Përpjekjet për ndihma shtohen në të gjithë Sirinë

Ndërkohë, organizatat humanitare po përpiqen t’i zgjerojnë operacionet në Siri për t’i përmbushur nevojat masive.

Drejtori rajonal i Fondit të Popullsisë së OKB-së tha se në të gjithë Sirinë ka 40,000 gra që janë shtatzëna dhe do të lindin në tre muajt e ardhshëm.

“Shumë nga objektet që ne vizituam tashmë janë varfëruar ose dëmtuar ose të dyja,” u tha gazetarëve Laila Baker, Drejtoresha Rajonale e Shteteve Arabe të UNFPA-së përmes një video nga Aleppo. “Ka rezerva medikamente për trajtimin e gjërave shumë elementare, të tilla si gripi, aq më pak diçka aq e komplikuar sa të bësh një seksion C[esarean].”

Baker sapo kishte vizituar një maternitet në Aleppo, dikur një metropol i lulëzuar, tani pothuajse i demoluar nga 12 vitet e luftës civile dhe nga tërmeti i fundit. Ajo tha se të gjitha repartet ishin plot dhe objektit i mungonin gjërat elementare, si çarçafët. Stafi i molisur punonte me turne 18-orëshe duke u përpjekur të ndihmonte sa më shumë gra që të mundeshin. 

Në strehimoret e improvizuara, si në xhami dhe shkolla, Baker tha se nuk ka tualete.

“Për një grua, shumë prej të cilave janë shtatzënë, ato po përballen me vështirësi të mëdha”, tha ajo.

UNFPA nisi një apel të martën për 24 milionë dollarë për t’i mbuluar nevojat imediate për tre muajt e ardhshëm.

Ndaras kësaj, 22 kamionë nga Programi Botëror i Ushqimit, WFP që transportonin ushqime të konservuara dhe dyshekë, kaluan të mërkurën në Sirinë veriperëndimore përmes pikës kufitare Bab al-Haëa nga Turqia. WFP gjithashtu ka shpërndarë ushqime të gatshme dhe artikuj të tjerë ushqimorë në zonat e kontrolluara nga qeveria, duke përfshirë provincat Alepo, Hama dhe Latakia. Gjithashtu të mërkurën, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin shpërndau strehë dhe gjëra jo ushqimore përmes vendkalimit të sapohapur tëBab al-Salam.

Kombet e Bashkuara thonë se 117 kamionë kanë kaluar në veriperëndim të kontrolluar nga forcat rebele që kur ndihmat filluan të qarkullojnë më 9 shkurt.

Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres nisi një apel prej 397 milionë dollarësh si përgjigjie ndaj tërmetit në Siri, duke shtuar se një apel i ngjashëm është duke u hartuar edhe për Turqinë./VoA