Foto: REL/Reuters

Numri i të infektuarve me coronavirus në Spanjë kalon 800,000

Spanja raportoi për 23,480 raste të reja me coronavirus në fundjavë, të cilat e bëjnë atë vendin e parë në Evropën Perëndimore me më shumë se 800,000 raste në total.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës tha se numri aktual i të infektuarve është 813,412, ndërsa i viktimave 32,225.

“Jemi ende shumë të shqetësuar. Javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira”, tha në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë i Spanjës, Salvador Illa.

Spanja ka qenë një nga vendet e para në Evropë që ka përjetuar kulmin e dytë të infeksioneve me coronavirus, në fund të verës.

Që atëherë, Qeveria spanjolle ka ndërmarrë disa masa kufizimi, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Të hënën, në Madrid nisi ndalesa e udhëtimeve joesenciale.

Sipas rregullave të reja, banorët mund të kalojnë kufijtë e qytetit vetëm për punë, shkollë, shëndetësi ose pazare./REL