Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Numri i raportimeve për dhunë në familje është rritur ndër vite

Të shumta janë ngjarjet të cilat kanë përfunduar me fatalitet e që burimi i tyre rrjedh nga rastet e dhunës në familje.

Gra që kishin kërkuar mbrojtje paraprake nga shteti për shkak të dhunës sistematike të burrave të tyre sot nuk jetojnë më ndërsa statistikat policore tregojnë se kjo vepër penale e dhunës në familje është në rritje për çdo vit.

Në rastet e dhunës në familje shpesh herë të involvuar në cilësinë e të dyshuarve kanë qenë edhe zyrtarë publikë, të cilët vijnë nga institucione të ndryshme duke përfshirë edhe ato të sigurisë.

Vetëm në statistikat e siguruara nga KALLXO.com që nga viti 2017 deri në vitin 2021 janë regjistruar 30 raste ku zyrtarë policorë janë dyshuar për dhunë në familje.

Mbi 9 mijë raste të dhunës në familje janë evidentuar në dosjet policore në katër vitet e fundit.

Policia e Kosovës në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se që nga themelimi i saj ka trajtuar me seriozitet rastet e dhunës në familje.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.

Trajtimi i rasteve me seriozitet sipas Policisë ka bërë që të ketë edhe raportime më shumë ndër vite.

Që nga viti 2019,  8 mijë e 13 raste janë të evidentuara në dosjet penale në polici ndërsa numri i viktimave të cilat kanë përjetuar dhunë në familje për vitet 2019-2021 është 6 mijë e 565.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastet e dhunës në familje edhe ato të cilat patën një fund fatal.

Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndërvite në Kosovë.

Para vrasjeve disa nga to përjetuan, dhunë fizike sistematike, tortura e maltretime për të cilat disa herë u kërkua edhe mbrojtja e shtetit.

Marigona Osmani, 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt nga partneri i saj Dardan Krivaça dhe shoku i tij Arbër Sejdiu. Këta dy të fundit e kishin lënë trupin e 18 vjeçares në spital dhe kishin dalë nga ambientet e objektit ndërsa ishin identifikuar nga organet e rendit e ditë më pas ishin arrestuar.

Dosja e prokurorisë për vrasjen e rëndë vë në pah detaje tronditëse se si kishte ndodhur ngjarja e që para saj e reja ishte torturuar në mënyrë mizore.

Gjithmonë sipas prokurorisë, në javën e fundit të gushtit të vitit të kaluar, Marigona Osmani ishte detyruar që të kryej marrëdhënie seksuale me partnerin e saj Dardan Krivaçën në banesën e këtij të fundit.

Dosja përshkruan se si “marrëdhënia seksuale përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e Marigona Osmanit kryhet marrëdhënie seksuale në sallon dhe të zhveshur Dardan Krivaça e dërgon në banjë, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit dhe si pasojë të gjendjes së rëndë shëndetësore e dhunës së ushtruar ajo humb aftësinë për të rezistuar”.

Dosja e autopsisë së 18 vjeçares tregon për një torturë mizore që i ishte bërë të njëjtës para vdekjes. Shenja të shumta në gjithë trupin, thyerje të shumë gjymtyrëve, gërvishtje, goditje me kabllo, dhënie të tabletave të llojit tramadol e cila përdorët për lehtësim të dhimbjeve të forta e të cilat nuk rekomandohet të përdoret pa përshkrim të mjekut.

Në aktakuzën e prokurorisë tutje përshkruhen edhe dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët por edhe tregohet se si i akuzuari kryesor partneri i Marigona Osmanit, Dardan Krivaça në polici dhe në prokurori nuk kishte pranuar që të deklarohet por kishte shfrytëzuar të drejtën që të mbrohej në heshtje.

Një tjetër rast tragjik që ka ndodhur në shtator të vitit 2020, tregon për një vrasje tjetër të rëndë që kishte ndodhur në një fshat të Komunës së Kamenicës.

Sabile Mavrovqani ishte vrarë nga burri i saj Nuhi Mavrovqani në njërën nga dhomat e shtëpisë ku ishin duke jetuar.

Nuhi Mavrovqani e kishte qëlluar gruan e tij me një shufër metalike të një gjatësie prej 73 centimetrave dhe një trashësie prej 2.2 centimetrave.

E gjitha kishte filluar pas një fjalosje mes çiftit ndërsa Nuhi Mavrovqani më pas e kishte filluar sulmin ndaj gruas së tij duke e goditur fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës.

E njëjta ishte rrëzuar në tokë ndërsa Nuhi Mavrovqani kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.

Dosja e prokurorisë kishte përshkruar se Nuhi Mavrovqani edhe në të kaluarën ka pasur raste të iniciuara për dhunë të ushtruar ndaj gruas së tij.

Madje dëshmia e Nuhi Mavrovqanit zbulon se para se ta kryente aktin e vrasjes kur kishte marrë gypin e hekurt e kishte paralajmëruar gruan e tij Sabile Mavrovqanin që të mos i afrohej sepse do ta mbyste.

Një tjetër rast i rëndë ishte shënuar në tetor të vitit 2015. Nebih Berisha ishte dënuar pasi që kishte vrarë gruan e tij duke e goditur 20 herë me thikë.

Përveç vrasjes së gruas Zejnepe Berisha, Nuhi Berisha ishte akuzuar edhe për shkaktim të lëndimit trupor ndaj vajzës së tij.

Ilir Haxhiaj është një tjetër i dënuar nga Gjykata në Gjakovë pasi që i njëjti ishte vërtetuar se kishte rrahur gruan e tij e kishte përplasur për asfalti duke i shkaktuar lëndime të rënda të cilat më pas i sollën vdekjen.

Hatije Dina gruaja e Ilir Haxhiajt kishte vdekur 2 javë pas rrahjes nga bashkëshorti. Prokuroria kishte pretenduar se në dalje të fshatit Samadraxhë, Ilir Haxhiaj ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë, dy javë pas ngjarjes.

Disa nga gratë që u vranë ndërvite nga bashkëshortët apo partnerët e tyre ishin përballur edhe në të kaluarën me dhunë fizike nga të njëjtit.

Raste të grave që u vranë me armë nga burrat e tyre zënë vend ende në dosjet në sistemet e sigurisë dhe drejtësisë.

Në janar të këtij viti, një grua u vra nga burri i saj në Llaushë të Skenderajt.

Lirije Qerimaj pesë ditë para se të vritej kishte raportuar në polici burrin e saj. KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht se gruaja kishte kërkuar mbrojtje nga shteti po për shkak të festave zyrtare kërkesa për mbrojtje ishte lënë që të dorëzohej në mes të javës kur të përfundonin pushimet.

Në ditën kur pritej të bëhej kërkesa për mbrojtje, ajo ishte vrarë nga burri i saj i cili ishte dorëzuar më pas në polici me të njëjtën armë që kishte kryer ngjarjen.

Valbona Ndrecaj 34 vjeçare dhe vajza e saj Klara 9 vjeçare u qëlluan me kallashnikov në kokë nga plumbat, që pretendohet se u shkrepën nga burri, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj. Aktakuza shpjegon se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.

KALLXO.com ka raportuar edhe për rastet ku të përfshirë në vepra penale të dhunës në familje janë edhe zyrtarë policorë.

Vite më parë KALLXO.com kishte transmetuar ekskluzivisht rrëfimin e një gruaje burri I së cilës punon në Policinë e Kosovës e që disa herë ishte lajmëruar për dhunë në familje.