Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Numërohen votat për kandidatët për deputetë në 114 vendvotime

Në 18 Komunat ku ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë janë numëruar votat e 114 vendvotimeve, nga gjithsej 1 mijë e 196 sa janë në gjithë Kosovën.

Kështu njoftoi Besnik Buzhala nga Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), gjatë mbledhjes së mbajtur, më 13.02.2025.

“Për 18 Komuna ku ka filluar numërimi, më 11 dhe 12 shkurt, gjithsej janë numëruar 114 vendvotime.” – tha ai.

Numërimi për kandidatët për deputetë ka filluar në 18 Komuna: 4 prej të cilave kanë filluar më 11.02.2025 dhe 14 të tjera më 12.02.2025.

Buzhala tha se të enjten, më 13.02.2025, pritet të fillojë numërimi edhe në 8 Komuna të tjera.

“Komunat e tjera ku nuk ka filluar numërimi janë në përgatitje e sipër. Domethënë janë 12 Komuna.” – tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, në: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut, Hani i Elezit dhe Ferizaj.

Më 12.02.2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me qëndrimin se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.

KQZ ka njoftuar se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.