Numërohen më shumë se gjysma e votave me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë numëruar më shumë se gjysma e fletëvotimeve me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Sipas Elezit, menjëherë pas tyre do të numërohen votat nga jashtë Kosovës.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Menjëherë pas tyre, do të fillojmë me numërimin e votave nga jashtë Kosovës.  Sipas të dhënave janë rreth 32 mijë fletëvotime të konfirmuara me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë pjesë e procesit të numërimit. Deri më tani janë numëruar më shumë se gjysma e tyre”, tha ai në një konferencë për media.

Sipas Elezit, nga votat jashtë Kosovës janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 sosh.

“Tashmë, shërbimi votues i KQZ-së ka përmbyllur vlerësimin dhe verifikimin e pakove të supozuara me fletëvotime. Nga numri total i pakove të proceduara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime”, shtoi ai.

Zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditura edhe arsyet e refuzimit të atyre votave, e që sipas tij janë të ndryshme dhe janë të kategorizuara në 7 grupe kryesore.

“9 mijë e 199 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 665 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore;  1 mijë e 325 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 2 mijë e 451 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 910 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim;  1 mijë e 656 zarfe me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar. Pra, brenda një pakoje/dërgese kanë qenë nga 84, 39, apo 37 zarfe të individiualizuara me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar; dhe 385 pako me fletëvotime që janë dorëzuar personalisht në postën numër 6 në Kosovë dhe nuk përmbajnë vulën dhe as pullën postare të postës dërguese”, tha Elezi.

Elezi në fund shtoi se nuk mund të japë kohë të saktë se kur do të nisë numërimi i votave të diasporës.

“Nuk po përmendim ndonjë orë specifike sepse varet nga dinamika e punës në QNR”, theksoi ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt.