Foto: KALLXO.com

Numërohen 876 vendvotime nga 2,533

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë numëruar 876 vendvotime nga 2,533 vendvotime në total.

Sipas KQZ-së, procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 9 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Partesh, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit (sipas tabelës) në të cilat është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve apo ka përfunduar, deri më 14 shkurt 2025 janë numëruar 876 vendvotime nga 2,533”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Aktualisht, procesi i numërimit është duke vazhduar në 25 Qendra Komunale të Numërimit.

Perditesimi i numrimit te votave per deptuete | Burimi: KQZ

Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.

Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një raporti përfundimtar nga institucionet e sigurisë.

KQZ ka njoftuar se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.