
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
Numërohen 73.23% e vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1,855 nga 2,533 nga zgjedhjet e 09.02.2025.
Ky numërim është bërë në përfundim të ditës më 16.02.2025. Ndërkaq, pjesa tjetër do të vazhdojë më 18.02.2025.
Sipas KQZ-së, procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa rast procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucionalë për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.