
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
Numërimi në Deçan, zyrtari komunal zgjedhor thotë se dy gabime kanë ndodhur, por do të evitohen
Dy gabime pretendohet që kanë ndodhur në Komunën e Deçanit gjatë numërimit të votave, më 09.02.2025.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Fatmir Cacaj, zyrtar i lartë komunal zgjedhor.
Ai tha se presin që së shpejti të nisë numërimi, pasi të japë dritën e gjelbër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ankesa nuk kemi pasur ne. I kemi vërejtur disa gabime. Gabime janë, qysh e tek nuk e dimë, por gjatë numërimit evitohen. Dy gabime, si duket edhe unë përmes mediave i kam pa që kanë ndodhë që e kanë ndërru rubrikën. Partitë janë lajmëru për gabime, por gjatë numërimit pritet me u evitu.” – ka deklaruar Cacaj.
“Numërimi nuk ka filluar ende, sepse jemi duke bërë montimin e kamerave. Si të përgatitemi ne mund të fillojmë numërimin.” – deklaroi ai.
Getoar Mjeku nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar të martën, më 11.02.2025, duke thënë se disa vota i janë regjistruar gabimisht subjektit Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, e të cilat ishin të LVV-së. Ai ka përmendur Qendrën e Votimit, në fshatin Gramaçel.
Deri më tani, sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, forca e parë politike në vend është Lëvizja Vetëvendosje, me 340.690 vota, ose 40.87%. Partia e dytë është renditur PDK, me 22.03%. LDK në anën tjetër është partia e tretë, me 17.61% dhe e katërta AAK-NISMA, me 7.46%.