Numërimi i votave, Policia dhe Prokuroria vizitojnë qendrën e votimit në Gjakovë

Policia dhe Prokuroria e Gjakovës kanë vizituar shkollën “Zef Lush Marku”, në fshatin Berkoc të Gjakovës, pas ankesave të komisionerëve aty, gjatë procesit të numërimit të votave.

Sipas kryeprokurorit të Gjakovës, Ramiz Buzhala, nuk ka pasur ndonjë element që të ndërhyjë prokuroria apo policia, por sipas tij kanë qenë thjesht mospajtime rreth numërimit.

“Nuk ka ndërhyrë as Policia e as prokuroria, por e kanë vizituar atë shkollë, pasi kemi pas ankesa nga partitë. Thjesht kanë qenë mospajtime nga ana e komisionerëve, që e ato i rregullon KQZ-ja me mekanizmat e vet. Nuk ka pasur elemente për me ndërhy prokuroria”, ka thënë Buzhala për Kallxo.com.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, pas 63% të numërimit të votave, Ardian Gjini i AAK-së dhe Mimoza Kusari Lila e LVV-së shkojnë ne balotazh.

Ardian Gjini ka 47.41%, ndërsa Mimoza Kusari Lila ka 37.54 %.