![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/468361079_122143271996352466_7939409394868933065_n-720x480.jpg)
Vizitorët në muzeun ‘Reporting House’ më 28 nëntor 2024
Numër rekord i vizitorëve në ‘Reporting House’ më 28 nëntor
Më 28.11.2024, një numër rekord i qytetarëve e vizituan Shtëpinë e Gazetarëve (Reporting House) në qendër të Prishtinës.
Ekspozitën e vlerësoi lart njëri nga vizitorët që qëndroi në hapësirën e ‘Reporting House” të enjten.
Është ky 25-vjeçari, Albin Bytyçi, i cili është oficer në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), që kishte diplomuar në Forcat Ajrore të Ushtrisë së ShBA-së.
“Ky muze është një super përkujtues për t’hjekunat e popullit tonë. Tash neve na takon me reflektu edhe me ndërtu t’ardhmen prej këtu e tutje, edhe më të motivuar se përpara se me pa këtë ekspozitë”- tha Bytyçi.
Ndërsa Leonora Aliu, udhërrëfyese në këtë muze të historisë moderne të Kosovës, tha se ekspozitën në një ditë e vizituan më shumë se 200 qytetarë.
“Asnjë ditë, brenda ditës, nuk kemi pasur më shumë vizitorë se dje. 231 qytetarë të moshave të ndryshme dhe nga vende të ndryshme, përfshirë diasporën, kanë vizituar ekspozitën si dhe patën mundësinë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të dëgjojnë nga producentja Jeta Xharra rreth dokumentimit mediatik dhe artistik të rezistencës njëdekadëshe 1989-1999 për lirinë e Kosovës”- tha Aliu.
Ndërkaq, Gazmend Ejupi, profesor arti dhe kuratori i muzeut “Reporting House” që solli artistë me renome ndërkombëtare në këtë ekspozitë, reflektoi mbi këtë numër rekord të vizitorëve.
“Mendoj se fakti pse ‘Reporting House’ po tërheq kaq shumë vëmendje te vizitorët ndërlidhet pikërisht me punën që kemi bërë në kontekstualizimin e fakteve historike përmes inkuadrimit të artit. Dhe kjo na bënë të lumtur sepse ka pasur dhe po vazhdon të ketë një angazhim të jashtëzakonshëm në dokumentimin tutje të përjetimeve kolektive të qytetarëve të Kosovës”- u shpreh ai.
Në anën tjetër, Jeta Xharra, realizatore e ekspozitës tha se kjo ishte ditë e veçantë për shkak se kontribuues të rinj erdhën në ekspozitë.
“Mes takimeve me shumë njerëz që pata dje, më erdhi posaçërisht mirë që na vizituan njerëz si Rrezearta Reka, gazetare e re me të cilën isha njohur në Media Projekt në 1996. Ajo erdhi në vizitë me tërë familjen dhe na tregoi një rrëfim shtesë për kontributin e saj në ruajtjen e një artefakti të rëndësishëm që e kemi në muze, fletoren e familjes së fëmijëve të Jasharëve. Pra, nuk po mësojnë vetëm vizitorët diçka të re nga muzeu jonë, por edhe unë po përfitoj shumë nga shkëmbimi i bisedave që po e kemi për memorien tonë kolektive”- tha Xharra.
Edhe pse 28 nëntori ishte shpallur ditë pushimi në Kosovë, muzeu “Reporting House” vendosi të mbahet hapur me punë vullnetare për shkak se organizatorët supozuan që në ditë feste, Ditën e Flamurit, qytetarët do të kenë interesim dhe kohë për të vizituar një hapësirë të tillë. Numri prej 231 vizitorëve brenda ditës nuk ishte arritur asnjë ditë tjetër, pos në hapje kur mysafirët ishin të ftuar.
Kjo Shtëpi e Gazetarëve ka digjitalizuar rreth 30 orë video materiale të luftës dhe rezistencës në Kosovë nga mediat ndërkombëtare, ka mbledhur rreth 500 fotografi të fotografëve vendor e ndërkombëtar nga kjo periudhë kohore (1981 – 1999) dhe ka ekspozuar punime të artistëve bashkëkohorë nga Ukraina, Mozambiku, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina dhe Skandinavia.
Ky muze mund të vizitohet prej të martës deri të shtunën, prej orës 10:00 deri në ora 18:00. Lokacioni i muzeut është prapa statujës së Skënderbeut, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, te ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në Prishtinë. Hyrja është falas.
Më poshtë gjeni një fotogaleri nga vizitat në “Reporting House” më 28 nëntor:
![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/468510382_122143270262352466_8259940879050973890_n-1024x683.jpg)
![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/468361079_122143271996352466_7939409394868933065_n-1024x683.jpg)
![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/468213802_122143269854352466_4775972074641024271_n-1024x683.jpg)
![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/468014027_122143271702352466_4015362600665541737_n-1024x683.jpg)