Nuk u miratua rezoluta për marrëveshjen e Uashingtonit, reagon Skender Hyseni

Ish-koordinatori shtetëror për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, ka reaguar pas mosvotimit të rezolutës së zbatimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë seancës së sotme, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Përmes një postimin në Facebook, Hyseni ka thënë se mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit është mosvlerësim, mosmirënjohje dhe sfidim direkt i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në punët e Kosovës në të gjitha rrafshet. Kjo godet rëndë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Asgjë më e rrezikshme për Kosovën në stadin e saj aktual të konsolidimit si shtet. Mesazhet krekosëse që Kurti po dërgon qoftë edhe duke refuzuar miratimin e një rezolute edhe ashtu jodetyruese për qeverinë, janë të rrezikshme dhe me pasoja. Akti i sotëm politik i Kurtit është shumë më shumë sesa vetëm një refuzim”, ka shkruar Hyseni ndër të tjerash në Facebook.

Postimi i plotë, pa ndërhyrje i Skender Hysenit:

Kosova dhe politika e saj e rrezikshme e vetizolimit

Sot, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

Lidhja Demokratike bëri mirë që propozoi këtë rezolutë. Të gjithë deputetët e opozitës që votuan për miratimin e saj demonstruan përgjegjësi dhe konsistencë në interes të vendit, pa kalkulime.

Ndërkaq refuzimi i kësaj rezolute nga deputetët e VV-së shpërfaq hapur etablimin dhe konsolidimin e politikës së vetizolimit të Kryeministrit Albin Kurti dhe VV-së. Duket se Kurti dhe VV vetmjaftohen me pak pushtet në ‘mahallë’ e nuk lodhen fort për interesat afatgjata të vendit.

Asgjë më e rrezikshme për Kosovën në stadin e saj aktual të konsolidimit si shtet. Mesazhet krekosëse që Kurti po dërgon qoftë edhe duke refuzuar miratimin e një resolute edhe ashtu jodetyruese për qeverinë, janë të rrezikshme dhe me pasoja. Akti I sotëm politik i Kurtit është shumë më shumë sesa vetem një refuzim.

Sot është më e qartë se ndonjherë më parë që Kurti ështe një manipulues dhe mashtrues gjenial, i cili interesin personal dhe ate të vartësve të tij e vë para cdo interesi qytetar e nacional. Ai e di që ajo masë që i shkon mbrapa verbërisht, nuk preokupohet hiq nëse Kurti bënë apo nuk bënë politika në interes të vendit. Këte, Kurti e ka lexuar saktë. Dhe pikërisht këtu konsiston ai gjenialiteti i tij prej manipuluesi dhe mashtruesi. Kostoja e kësaj politike mund te jet rrënuese per vendin dhe të ardhmen tonë kolektive.

Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit është mosvlerësim, mosmirënjohje dhe sfidim direkt rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në punët e Kosovës në të gjitha rrafshet. Kjo godet rëndë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Politikat izolacioniste assesi nuk janë interes i Kosovës. Ikja nga tryezat nuk të siguron forum ku do te luftosh dhe mbrosh interest e vendit. Ikja është kapitulim dhe dështim. E kjo do te shihet shpejt por fatkeqësisht me një kosto, mbase të lartë për Kosovën?!