
Kompania "Elektrosever" në "Lagjen e Bosnjakëve" në Mitrovicë të Veriut 23.09.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Nuk u dakordua me pronarët për vendin e vendosjes, “Elekstrosever” nuk arrin t’i instalojë njehsorët e rrymës te disa biznese
Punëtorë të kompanisë “Elektrosever” kanë dalë më 23.09.2024 në terren në “Lagjen e Boshnjakëve”, në Mitrovicë të Veriut, për të vendosur njehsorët e energjisë elektrike te bizneset të cilët operojnë në këtë pjesë.
Mirëpo, ata nuk e kanë arritur këtë qëllim gjatë ditës së sotme sipas pronarit të një dyqani, Murat Haxhiq, i cili tha se nuk janë dakorduar për vendin e vendosjes së këtyre njehsorëve. Gjithashtu, ai tha se qe disa muaj po e paguan rrymën.
“Nuk i kanë vendosë. Unë kam apliku për vete qe sa. Erdhën sot e këqyrën por thanë jo nuk bën aty se s’di po thojnë nuk lejohet tri me qenë brenda, bie fjala. E unë vendin e kam për tre njehsorë, për lokalin dhe dy katet lart. Edhe aty kurrfarë problemi s’ka qenë se unë jam non-stop këtu. Po ata po thonë nuk mundemi brenda me i vendosë, duhet përjashta, dikush po do kështu, dikush ashtu. D.m.th. s’po merren vesh me pronarë. Tash kanë dalë për bizenese dhe për disa shtëpi sepse te disa shtëpi nuk janë vendosë ende. Unë për vete e di që e kam vendosë me kohë dhe jam tu pagu çdo muaj nga 54 euro (paushall)”- tha pronari për KALLXO.com.
Ai shtoi se “Elektrosever” ka mbetur të koordinohet me kompaninë në jug dhe së bashku të vijnë dhe t’i vendosin njehsorët.
Ndryshe, KALLXO.com ishte në terren më 23.09.2024 rreth orës 13:15 ku pa se automjetet e “Elektrosever” së bashku me njehsorët e pavendosur u larguan nga “Lagjja e Boshnjakëve”.
KALLXO.com vërejti se në disa shtëpi në këtë lagje janë vendosur njehsorët. Banorët pretendojnë se janë vendosur muaj më parë, pra jo sot.



KALLXO.com ka raportuar se më 09.05.2024 ka filluar vendosja e njehsorëve të energjisë elektrike të kompanisë “Elektrosever” në Mitrovicë të Veriut.
Ndërsa më 04.06.2024 ka vazhduar vendosja e njehsorëve të energjisë elektrike të kompanisë ‘Elektrosever’ në Mitrovicë të Veriut.
“Elektrosever” është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.
Licencimi i saj është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë më 21 qershor.