Foto: Ilirjana Hoti/KALLXO.com

Nuk shqyrtohet rezoluta për dorëheqjen ose shkarkimin e Qeverisë, shtyhet seanca e thirrur nga AAK

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, është shtyrë për një datë tjetër.

Seanca që nuk zgjati as pesë minuta u shtye për shkak të pranisë së një numri të vogël deputetësh në sallë. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se do të merren vesh për një datë tjetër kur do të ketë gatishmëri më të madhe të deputetëve.

“Nuk do të ishte mirë që kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm, sepse është edhe papërgjegjësi më pritë aq shumë- pritëm boll, rreth 40 minuta”- tha Konjufca.

Kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, parti e cila ka iniciuar këtë rezolutë tha që në mungesë të deputetëve po pranojnë të shtyjnë seancën dhe së bashku me Kryesinë e Kuvendit do të vendosin për një datë tjetër.

“Tash e tre muaj, AAK ka vendosur kërkesën në Kryesi për një debat për tri vjet qeverisje. Në diskutim edhe me grupet parlamentare, në mungesë të deputetëve, një temë aq e rëndësishme, që do të jetë një ballafaqim i vërtetë në mes pozitës dhe opozitës, neve si grup dhe Kryeministrit, nuk do duhej të ndodh pa një dakordim të plotë dhe pa pjesëmarraje të deputetëve”- tha Tahiri.

I pranishëm në seancën që përfundoi ende pa nisur mirë ishte edhe kryeministri Kurti.

Rezoluta e AAK-së, parashihte që pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërndahej edhe Kuvendi i Kosovës.

“Të gjithë parametrat e deritanishëm, sot në tre vjetorin e kësaj Qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria ta përmbylle mandatin e saj me dorëheqje, ose mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”- thuhet në rezolutë.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë sonte më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.

Këto deklarata ngjallën edhe reagime të dy partive opozitare, AAK dhe LDK.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.