Protesta e punëtorëve teknik dhe të sigurimit në institucione shëndetësore - QKUK, 29 korrik 2022 - Foto: KALLXO.com

Nuk përfituan shtesat e Qeverisë prej 10%, protestojnë para QKUK punëtorët e sigurimit dhe pastrimit - FOTO

Punëtorët teknik dhe ata të sigurimit në institucione shëndetësore kanë protestuar sot para drejtorive të institucioneve ku kryejnë shërbime në QKUK, për shkak të mos-përfshirjes së tyre në vendimin e Qeverisë s% Kosovës për pagesën shtesë neto prej 10 për qind të pagës bazë për COVID-19.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Sigurimit, Sabri Ejupi, tha se nuk janë njoftuar ende se pse nuk kanë përfituar nga pakoja e Qeverisë si staf mbështetës.

“Ne nuk e dimë se për çfarë arsye jemi ndarë nga të gjithë për të përfituar shtesat prej 10% të shtesave. Ne jemi ndarë gjithmonë, pra edhe herë të tjera kur janë dhënë shtesat. Ne jemi gjithsej 250 punëtorë të sigurimit nga kompania Security Code në QKUK”, tha Ejupi.

Në mbështetje të këtyre punëtorëve të sigurimit dhe pastrimit ka dalë në mbështetje edhe Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së.

Enlirat Duraku, nënkryetar i kësaj sindikate tha se rëndësia e këtyre punëtorëve është pothuajse e barabartë me atë të mjekëve e infermierëve.

“Ne kemi dalë në mbështetje të kësaj proteste për shkak se janë ndarë nga përfitimi i shtesave. Kontributi i tyre ka qenë më i madhi në pandemi. Këta kanë hyrë para nesh në dhoma për ta pastruar për të krijuar kushte për stafin shëndetësorë që të kryejmë shërbimet. Ndarja e tyre është absurde dhe diskriminuese”, tha Duraku.

Edhe kryetari i Sindikatave të Pavarura, Jusuf Azemi, ishte pranë punëtorëve duke thënë që Qeveria ka dhjetë ditë kohë qe të vendos nëse do t’i paguajë këta punëtorë.

Sipas Azemit, sot janë duke protestuar të gjithë punëtorët e sigurimit dhe pastrimit në institucionet shëndetësore të cilët, sipas tij, po diskriminohen nga Qeveria e Kosovës.

“Të gjitha institucionet janë në protestë gjysmë orëshe aktualisht. Ne nuk jemi duke kërkuar lëmoshë dhe shpresojmë që do të jetë përgjigjja pozitive nga Qeveria. A e meriton Qeveria që këta punëtorë të mos punojnë për disa ditë!? Ne jemi njerëz më të kulturuar dhe Qeveria nuk ka qare pa i paguar këta punëtorë sepse i obligon ligji. Ne do të protestojmë sot dhe do të tërheqim vërejtjen në këto temperatura të larta. Në ditët në vazhdim do të shohim se si do të shkojnë punët. Kryeministri po zgjedh njerëzit që kanë dhe jo ata që janë në kredi deri në fyt. Kemi ardhur në Qeveri me këto premtime. Është turp që ky drejtor t’i marrë 60 euro e këta punëtorë që e sigurojnë atë dhe ia pastrojnë zyrën e tij të mos marrin. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar që ne si punëtorë të sigurimit dhe pastrimit jemi staf mbështetës dhe duhet të përfitojmë nga kjo pako”, tha Azemi.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar aprovimin e pagës shtesë prej 10% për punonjësit shëndetësor të sektorit publik (profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës) për periudhën janar – qershor 2022 fillimisht në fund të janarit të këtij viti.

Më pas, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5.5 milionë euro për shtesën prej 10% për stafin shëndetësor.

Sipas vendimit do të vazhdojë pagesa shtesë prej 10% e pagës bazë, por jo më pak se 60 euro, për punonjësit e shërbimit shëndetësorë të sektorit publik, në periudhën korrik-dhjetor 2022.

Protesta e punëtorëve teknik dhe të sigurimit në institucione shëndetësore – QKUK, 29 korrik 2022 – Foto: KALLXO.com
Protesta e punëtorëve teknik dhe të sigurimit në institucione shëndetësore – QKUK, 29 korrik 2022 – Foto: KALLXO.com