Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nuk pati mjaftueshëm kandidatë me kritere të plotësuara, Komisioni rekomandoi anulimin e konkursit për drejtor të Radio Kosovës

Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e drejtorit të Radio Kosovës, ka vlerësuar se vetëm dy kandidatë kanë plotësuar kriteret në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve për këtë pozitë, duke rekomanduar anulimin e konkursit.

Kjo duke u bazuar në Rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së, i cili thotë se nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret atëherë konkursi do të rishpallet.

“Procedurat e shqyrtimit të mëtejmë të aplikacioneve do të vazhdojë nëse së paku tre kandidatë për secilën pozitë veçmas i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara me konkurs publik. Konkursi publik do të rishpallet vetëm për pozitën për të cilën së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara me konkurs publik” – thuhet në nenin 21 të kësaj Rregullore.

Më 11 nëntor, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ka monitoruar mbledhjen e Komisionit vlerësues për zgjedhjen e drejtorit të Radio Kosovës. Për pozitën e drejtorit të Radio Kosovës kishin konkurruar katër kandidatë. Prej tyre, sipas vlerësimit të Komisionit, vetëm dy i kanë plotësuar kriteret e kërkuara me konkurs.

Sipas afateve, administrata e RTK-së ka njoftuar kandidatët me vlerësimin e Komisionit dhe kandidatët kanë pasur të drejtë ankesë brenda dy ditëve.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Komisioni ka rekomanduar anulimin e konkursit por që procesi nuk mund të cilësohet i anuluar deri sa Komisioni i ankesave t’iu kthejë përgjigje kandidatëve që pakënaqur.

“Komisioni ka rekomanduar anulimin e konkursit për shkak se dy kandidatë sipas vlerësimit të tyre nuk i kanë përmbushur kushtet. Sidoqoftë, procesi nuk mund të cilësohet i anuluar, pasi kandidatët kanë të drejtë ankese, tek Komisioni i ankesave. Në rast se edhe Komisioni i ankesave hedh poshtë ankesat, atëherë konkursi do të anulohet dhe do të rishpallet” – tha Ahmetxhekaj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar sot pyetje në adresë të RTK-së për numrin e ankesave të pranuara, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Siç merr vesh KALLXO.com, tre kandidatë kanë dorëzuar ankesa, ndërsa nesër është afati i fundit për t’iu kthyer përgjigje.

Konkursi për drejtor të Radios ishte rishpallur pasi bordi nuk kishte miratuar propozimin e drejtorit për emërimin e Florije Durmishit në këtë pozitë.

Komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të Radios është përbërë nga Zeljko Tverdisic – kryetar i komisionit, Hyre Tejeci, Arta Bajrami, Selami Selimi dhe Haki Kika – anëtarë.