Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Nuk paraqitet në Gjykatë i akuzuari për grabitjen në Fushë-Kosovë
Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e Murat Aliut, i akuzuar për grabitje në Fushë-Kosovë, ka dështuar të mbahet më 09.08.2024 për shkak se mungoi i akuzuari.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Gent Beka, bëri të ditur se në seancë mungon i akuzuari Murat Aliu për të cilin Gjykata më 31.07.2024 ka lëshuar urdhëresë që stacioni policor i Fushë-Kosovës ta sjellë të akuzuarin me detyrim, mirëpo Policia e ka informuar Gjykatën përmes e-mailit se në adresën e cekur në urdhëresë i akuzuari nuk është gjetur.
Tutje gjyqtari Beka tha se për të pandehurin Murat Aliu Gjykata është hera e dytë që ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo në të dy rastet nuk është arritur të sigurohet për seancë nga stacioni policor në Fushë-Kosovë.
Në seancë kanë munguar edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fahri Sadriu, i cili e ka njoftuar Gjykatën përmes telefonit se gjendet në pushim vjetor.
Po ashtu ka munguar edhe i dëmtuari Adnan Isejni, për të cilin Gjykatës ende nuk i është kthyer fletë-ftesa për të konstatuar nëse është ftuar në mënyrë të rregullt.
Seanca e sotme nuk u mbajt për shkak të mosplotësimit të kushteve.
Ndërsa për të pandehurin Gjykata do të lëshojë urdhër-arrest.
Prezent në seancë ka qenë prokurori i shtetit Besnik Jakupi.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më 30.09.2021, i pandehuri Murat Aliu akuzohet se më 15.08.2021 rreth orës 23:53 në Fushë-Kosovë me dashje dhe me qëllim që t’i sjellë vetës dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, pasi që i dëmtuari kishte dalë nga shtëpia e hallës së tij bashkë me vajzën e tij të mitur, ishte nisur të shkojë në shtëpinë e tij, i pandehuri duke e shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të rënduar të dëmtuarit i ishte afruar dhe e kishte goditur.
Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se i akuzuari e kishte goditur me grusht në kokë (ballë) të dëmtuarin dhe ia kishte hequr kateterin urinar që e kishte të vendosur i dëmtuari pas operimit, dhe me forcë ia tërheq dhe ia merr nga trupi xhaketën që e kishte të veshur dhe që në të i kishte të hollat në shumën prej 20 euro, dhe ik me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa, i dëmtuari pas ngjarjes kthehet përsëri te shtëpia e hallës së tij dhe kërkon ndihmë, ndërsa nga telefoni i një fqinji i telefonojnë Policisë.
Me këto veprime i pandehuri Murat Aliu akuzohet se ka kryer veprën penale – grabitja e parashikuar.