Shkolla "Selami Hallaqi", Gjilan. FOTO-Facebook

Nuk nisi në të gjitha shkollat perioda e dytë e mësimit në Kosovë

Perioda e dytë e vitit shkollor 2020/21 ka filluar sot. Mësimi po zhvillohet sipas tre skenarëve për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës për të parë se a ka filluar mësimi në të gjitha shkollat.

Mësmi ka filluar në të gjitha shkollat e komunave të Ferizajt, Gjilanit, Vushtrrisë, Prizrenit, Shtimes, Hanit të Elezit, Suharekës, Kaçanikut, Pejës.

Ndërsa në komunën e Prishtinës mësimi në objekte shkollore nuk ka filluar në tri shkolla.

Mësimi sipas skenarit A në këto shkolla do të fillojë në ditët në vazhdim ndërsa arsyeja e zhvillimit të mësimit në distancë janë punimet që po zhvillohet në objektet e këtyre institucioneve.

“Në gjimnazin “Ahmet Gashi”, procesi mësimor ka filluar me skenarin C, pra mësimin në distancë për shkak të renovimeve që janë duke u bërë në shkollë. Po shpresojmë se javën e ardhshme kalon në skenarin A, ndërsa shkolla fillore “Shkëndija”, nga dita e mërkurë kalon në skenarin A, sepse janë duke u bërë disa gëlqerosje,  e shkolla e mesme “Prank Jakova” për shkak të disa punimeve nga nesër kalon në skenarin A”, thuhet në përgjigjien e Drejtorisë së Arsimit të Komunë së Prishtinës.

Në komunën e Prizrenit dhe të Shtimes reshjet e fundit kanë dëmtuar objekte shkollore.

“Si pasojë e reshjeve të fundit është dëmtuar shkolla në fshatin Medvec”, kanë thënë nga Zyra për Informim në Komunën e Prizrenit.

Objektet shkollore janë janë rregulluar dhe nuk kanë penguar procesin mësimor.

“Shkolla “Emin Duraku” niveli i dytë ka qenë e prekur nga vërshimet e fundit, por janë sanuar ato dëme dhe mësimi ka filluar normalisht”, thuhet në përgjigjien e Zyrës për Informim të Komunës së Shtimes.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës kishte paralajmëruar grevë nëse mësimdhënësve nuk u bëhen pagesat shtesë prej 100 euro në muaj.

Kryesia e Këshillit të Prindërve të Prishtinës ka reaguar pas deklaratës së SBAShK-ut se mësimi mund të mos fillojë më 18 janar siç është planifikuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa tani SBAShK-u grevën e ka vendosur si opcionale.

Sot nis gjysmëvjetori i dytë në shkolla