Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Nuk miratohet rezoluta e harmonizuar nga opozita për arsimin

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të miratojë propozim-rezolutën e cila është harmonizuar nga partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK-ja, në lidhje me arsimin në Kosovë në situatë të pandemisë.

Propozim-rezoluta mori vetëm 27 vota për dhe 50 kundër.

Paraprakisht, deputetja nga radhët e PDK-së, si propozuese e debatit parlamentar, Blerta Deliu-Kodra ka prezantuar projekt-rezolutën për në harmonizim me LDK-në dhe AAK-në, e cila kishte këto pika:

  1. Kuvendi obligon qeverinë që të ndajë buxhet për mbështetje financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të institucioneve të nivelit të arsimit para universitar në shumën prej 100 euro për muajin prill, maj dhe qershor 2021
  2. Obligon Qeverinë që të rrisë mbështetjen për mësuesit dhe prindërit në mënyrë që ata t’i ndihmojnë fëmijët për të mbetur të angazhuar në shkollë
  3. Obligon Qeverinë që të hartojë planin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë verës, bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore që duhet të koncentrohet në lëndët kryesore për të kompensuar kështu humbjet e të nxënit të fëmijëve, sidomos për ata që rrezikojnë të mbesin prapa
  4. Obligon Qeverinë që Pas marrjes së opinionit të IKSHP-së, nga e hëna mësimi në shkolla të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.
  5. Obligon Qeverinë që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit, në të gjitha nivelet duke përfshirë institucionet publike dhe private, në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022.
  6. Obligon Qeverinë që të zhvillojë programe trajnuese për të përmirësuar aftësive digjitale rreth mësimdhënies në distancë të mësuesëve
  7. Obligon Qeverinë që të ndajë mjete financiare shtesë për komunat që kanë nevojë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe të masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në institucionet edukativo-arsimore
  8. Obligon Qeverinë që të ndajë mjete financiare shtesë për institucionet publike të arsimit për qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese në hapësirat universitare
  9. Obligon Qeverinë që të udhëzojë institucionet e arsimit të lartë që të hartojnë plane dhe udhëzues për përmirësim e organizimit të arsimit në fushat përkatëse studimore.