Nuk miratohet raporti tremujor financiar i RTK-së, as nuk alokohen mjete tjera

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar – mars  2021, e as nuk i ka ndarë buxhetin për periudhën pasuese për tremujorin prill – qershor.

Rishqyrtimi për votim i këtij raporti të shpenzimeve për periudhën janar – mars 2021, do të bëhet në mbledhjen e radhës të Komisionit që pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme, pasi administrata e Kuvendit do të dërgoj pyetjet shtesë që kanë deputetët në drejtim të RTK-së

Njëjtë, për mbledhjen e radhës së Komisionit, u dakordua që të diskutohet edhe kërkesa e RTK-së, për alokimin e mjeteve për periudhën prill – qershor.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja ka sugjeruar që raporti për shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars 2021 të diskutohet edhe një herë javën e ardhshme, pasi t’i marrin informacionet shtesë.

“Gjithë deputetët e kemi një përkushtim të sigurojmë një televizion publik të qëndrueshëm”, tha Muja.

Ndërsa për mos alokimin e mjeteve për tre mujorin e ardhshëm, temë për të cilën përfaqësuesit e RTK-së kishin më shumë interes të diskutohej, Muja tha se kjo nuk është pikë e rendit të ditës.

Ndryshe, Ngadhnjim Kastrati drejtor i RTK-së, e ka kundërshtuar fort atë. Mosdiskutimin e veçanërisht mosmarrjen e vendimit për ndarjen e këstit të radhës për RTK-në, ai e ka parë me pasoja serioze financiare për mediumin publik e madje edhe e ka klasifikuar si një situatë të rëndë që nuk i ka ndodhur asnjëherë më parë RTK-së.

“Kjo është hera e parë që do të ketë vonesa të pagave të punëtorëve të RTK-së”, tha ai.

Madje, për Kastratin, e gjitha kjo është një sabotim i Komisionit dhe trysni e shtuar mbi RTK-në.

“Unë nuk po e shoh tjetër përveç se shantazh”, tha Kastrati.

As Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së nuk e ka parë të arsyeshme të mosdiskutohet e të mosvotohet ndarja e buxhetit për tremujorëshin e ardhshëm. Porse ai ka kërkuar vetëm mirëkuptim.

“Duhet të keni mirëkuptim që të hyrat dhe shpenzimet e RTK-së për muajt e ardhshëm t’i votoni”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Muja tha se nuk është korrekte të konsiderohet diç e tillë si një shantazh.

“Duhet të rezervoheni me shprehjet shantazh. Për ta bërë edhe ne punën tonë, ju lutem deri javën e ardhshme të na sillni materialet e nevojshme”, tha ai.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtarë i këtij Komisioni, Pal Lekaj, tha se asgjë nuk përfitohet nga pritja njëjavëshe, porse me këtë vetëm sanksionohen të punësuarit në RTK, dhe ka kërkuar që fillimisht ndahen mjetet e më pas javën e ardhshme të diskutohet për këto çështje.

“Është e udhës që sot ta aprovojmë dhe t’i ftojmë sërish për sqarime”, tha ai.

Muja ka kujtuar se çështja e alokimit të mjeteve për tremujorin pasues, nuk është në rend dite, dhe i ka ftuar që të diskutojnë për pikën e rendit të ditës, e që ishte raporti i shpenzimeve për periudhën janar – mars 2021.

Për shkak edhe të këtyre diskutimeve shpesh herë edhe të paqarta, Komisioni mori një pauzë 15 minutëshe, për t’u dakorduar se si të veprohet më tej në mbledhje.

Muja më pas tha se pas konsultimit, arritën konsensus që të shtyhet votimi për periudhën janar – mars deri ditën e mërkurë.

“Gjatë kësaj kohe, administrata e Kuvendit i bënë kërkesë me shkrim RTK-së për sigurimin e dokumenteve shtesë që nevojiten”, tha Muja.

Gjatë pauzës, ai tha se kërkesë shtesë ishte, dhe është marrë vendim, që në mbledhjen e ardhshme, të futet në rend dite shqyrtimi i projeksionit të RTK-së për periudhën prill – qershor 2021.