Nuk miratohet raporti i KPM-së

Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2020, dhe nuk i ka dhënë miratimin.

Në debatin që kishte brenda mbledhjës, anëtarët e Kominsionit Parlamentar patën disa kërkesa e kritika ndaj drejtuesëve të Komisionit të Pavarur për Media, ndërsa këta të fundit më shumë arsyetime gjetën në mungesën e stafit dhe atë të buxhetit.

Xhevat Latifi kryetari i Komisionit të Pavarur për Media tha se ky komision i ka 4 anëtarë ndërsa 3 tjerë e kanë konsumuar mandatin e përcaktuar.

“KPM ka nevojë për rritje të stafit. Në KPM bëhet një punë e madhe”, tha Latifi.

Ai është pyetur nga kryesuesja e Komisionit për Media Doarsa Kica – Xhelili se cilat kanë qenë objektivat për vitin 2020.

Latifi tha se nga tetori i vitit 2020 tre anëtarë e kanë marr mandatin ndërsa vetëm një anëtare ka qenë gjatë tërë vitit 2020, porse ai shtoi se:

“Promovimi i edukimit medial, vlerësojmë se është një nga gjërat që mund të bëhet”, tha ai.

Gjithashtu sipas tij në prerjet buxhetore, nuk janë marrë në konsideratë kërkesat e KPM-së dhe ka kërkuar gjithashtu që të ketë një ligj të ri për KPM-në.

“Kërkojmë të kemi një ligj të ri të KPM-së sa më shpejtë, i cili do të specifikoj vazhdimin e problemeve që i kanë mediat. Ne jemi dëshmitar të një gjendje toksike të promovimit medial në Kosovë”, tha ai.

Latifi tha se në ligjin e ri të KPM-së ose amandamentimin e tij është pikërisht çështja e portaleve që duhet të futet në kuadër të KPM-së.

Kryesuesja Kica, e ka pyetur edhe për procesin e digjitalizimit medial në Kosovë se çka kanë bërë gjatë vitit 2020 për ta përmbushur këtë objektiv.

Latifi tha se digjitalizimi ishte i varur nga vullneti i qeverive të mëparshme por tash varet edhe nga qeveria ekzistuese.

“KPM i ka ofruar gjitha letrat. Qeveria duhet të ndaj mjete”, tha Latifi.

Fitim Haziri anëtar i Komisionit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do kishte dëshirë që gjitha komentet për rregullore të KPM-së t’i kishin në posedim.

“Si dhe kontratat që kanë ekskluzivitet”, tha ai.

Besnik Tahiri anëtar i komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se rregullorja e miratuar ka mungesë konsultimin publik, për çka fajësoi problemin me pandeminë, porse edhe kërkoi nga drejtuesit e KPM-së të di pse po kërkojnë më shumë buxhet.

“Interesi publik është me pas televizione të forta. Ju po kërkoni buxhet më shumë, a mundeni me argumentu pse”, pyeti Tahiri.

Luan Latifi, kryeshef ekzekutiv i Zyrës Ekzekutive të KPM-së u arsyetua për pjesën e buxhetit shtesë duke thënë se janë në mungesë buxhetore për 11 punëtorë të ri që u duhen.