Nuk miratohet propozim-vendimi për zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticionet nuk e kanë miratuar propozim-vendimin e Avokatit të Popullit për zgjedhjeve e pesë zëvendësve të këtij institucioni.

Sipas komunikatës së Kuvendit, anëtarët në këtë pikë ranë dakord që gjatë ditës së sotme t’i paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre mbi rekomandimet e dhëna nga zyrtarët e Zyrës Legjislative në Kuvendin e Kosovës.

Pra, nesër, kjo temë do të diskutohet edhe një herë dhe do të merret një vendim përfundimtar, i cili do t’i paraqitet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim si një propozim përfundimtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore, Personat e pagjetur  dhe Peticionet.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit kanë miratuar unanimisht Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020.

“Në vazhdim të mbledhjes së sipërpërmendur, anëtarët e Komisionit gjithashtu morën në konsideratë raportin vjetor të Institucionit të Avokatit te Popullit për vitin 2020. Pas një diskutimi gjithëpërfshirës, anëtarët e Komisionit miratuan unanimisht Raportin e përmendur të Institucionit të  Avokatit te Popullit për vitin 2020”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Në të njëjtën mbledhje, u diskutua edhe propozimi i nismës legjislative në lidhje me Projektligjin për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.