Nuk miratohet projektligji për shëndetësinë i propozuar nga LDK

Projektligji për shëndetësinë i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka marrë miratimin e deputetëve të Kuvendit.

Me 17 vota për, 40 vota kundër dhe 4 abstenime ky Projektligj nuk është miratuar sot në lexim të parë.

Iniciuesi i projektligjit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se ky projektligj ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Ky projektligj Propozon sistem funksional shëndetësor dhe të zbatueshëm, decentralizon dhe bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, funksionalizon pavarësinë e shërbimeve mjekësore tretësore përmes QKUK-së, përcakton ofruesit e shërbimeve shëndetësore, inicion funksionimin e institucioneve të reja dhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja siç janë Instituti për nënën dhe fëmiun, Insistutin për sëmundje të zemres etj”, ka thënë në mes tjerash Zemaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ligji për shëndetësi dhe projektligji për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve medicinale do të dorëzohen në Kuvend para datës 30 shtator të këtij viti.

“Ligji për shëndetësi dhe projektligji, sipas planit tonë, do ta dorëzojmë deri më 30 shtator, mirëpo ne do ta bëjmë edhe më herët për shkak se kemi bërë avancime të shkëlqyera. Projektligji për shëndetësi është në finalizim”, ka thënë Latifi.

Ndërsa për deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, kjo qasje e pozitës është cenim i demokracisë dhe mandatit të lirë të deputetit.

“Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave. Mund ta bëni këtë, keni vota. Por unë mendoj se kjo nuk është demokratike fare. Nëse nuk keni vërejtje me përmbajtjen e projektligjeve dhe dilni lexoni pamflete politike të një dikasteri tjetër, unë iu them se po e mbytni demokracinë dhe mandatin e lirë të deputetit për iniciativa ligjore”, ka thënë ai.

Lidhur me ketë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se e drejta ligjore për të iniciuar ligje nuk guxon t’i merret deputetëve.

“E drejta ligjore nuk guxon t’i merret deputetëve, pa dallim partie apo grupi parlamentar. Andaj, mendoj njësojë se çdo nismë ligjore që ka qenë e pa përkrahur nga mazhoranca, nuk është e ndershme”, ka thënë ajo.

Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj e ka paraqitur propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi më datë 15 prill 2022.

Zemaj paraqet propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi, tregon çështjet që synon t’i rregullojë