Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Nuk miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të policëve dhe të punonjësve të IPK-së

Projektligji për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Në votimin e këtij Projektligji, iniciues i të cilit është Partia Demokratike e Kosovës, kanë marrë pjesë 65 deputetë, prej të cilëve 16 kanë votuar pro, asnjë kundër dhe 51 të tjerë kanë abstenuar.

Prezantimin e Projektligjit e ka bërë para deputetëve të Kuvendit, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu e cila tha se ajo nismë legjislative do të rregullonte njohjen e së drejtës së pensionimit për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

“Me këtë Projektligj është propozuar që zyrtarët e Policisë të fitojnë të drejtën për pension të rregullt nëse mosha e tyre arrin në 55 vjet dhe përmes këtij Projektligji do të rregullohen dhe përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet dhe kategorizimin e pensioneve për zyrtarët policorë”- deklaruar Musliu.

Ajo tha se më këtë Projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve; i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

“Me këtë projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve të cilat janë: pensioni i rregullt, pensioni invalidor, pensioni familjar dhe pensioni vullnetar. Duke qenë se të dhënat zyrtare për punonjësit e Policisë tregojnë se mosha mesatare e policisë në detyrë është e lartë, ky problem kërkon një zgjidhje të menjëhershme institucionale dhe propozimi i një projektligji të tillë është domosdoshmëri”- shpjegoi Musliu.

“Përmes projektligjit të propozuar, sigurohet njohja e punës dhe kontributit të zyrtarëve policorë, por edhe përtëritja e Policisë së Kosovës dhe e Inspektoratit Policor”- shtoi ajo.

Musliu u ka bëtë thirrje deputetëve që “t’i lëmë mënjanë inatet politike” dhe të debatojnë e miratojnë projektligjin e propozuar.

“Ju bëjë thirrje që për një moment, dhe kur është pyetje Policia e Kosovës, t’i lëmë mënjanë inatet politike, ju ftoj dhe shpresoj që sinqerisht të merrni pjesë në një debat konstruktiv për këtë projektligj dhe jo me retorikë”- u shpreh deputetja e PDK-së.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli vlerësoi se një projektligj i tillë duhet të jetë më serioz dhe si të tillë, ai tha se nuk do ta përkrahnin.

“Kritika ka qenë që një projektligj i tillë duhet të jetë më serioz, duhet të ketë një kalkulim e duhet të ketë një buxhetim, dhe pastaj të flitet për të si çështje serioze. Nisma ka ardhë nga PDK që ka qenë 12 vite në pushtet dhe tani ka pritë që për dy vite në opozitë ta sjellë këtë projektligj pa asnjë konsultim, kalkulim dhe si të tillë e kemi thënë edhe në Komision për Siguri, nuk mund ta përkrahim sepse nuk dëshirojmë të ngjallim pritje të pa realizuara “- ka theksuar Dugolli.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se ky projektligj duhet të përkrahet në parim.

“LDK mendon se duhet t’i japim përkrahje në parim, përkundër se është tërhequr nga agjenda legjislative, t’i japim mundësi Komisioni për Buxhet por edhe ai që e ka në mandat dhe me sindikatat e Policisë, ta bëjmë më të mirën e mundshme. Nuk ka arsye të shtyhet më tutje”- tha Zemaj.

Votimi në parim i këtij projektligji kishte dështuar edhe në mbledhjen Komisionit për Siguri.

Deputetët në pozitë nuk patën marrë pjesë në votim ndërsa nuk ka pasur diskutime për këtë pikë pasi sipas kryetarit ato janë shterur herën e fundit që ky projektligj ka ardhur në komision.

Pas këtij shqyrtimit të këtij projektligjit, Kuvendi i Kosovës sot ka shqyrtuar edhe tri pika të rendit të ditës duke përmbyllur kështu punimet e seancës së mbajtur me 6 dhe 7 prill 2023.

Pas përfundimit të këtyre pikave, kryeparalamentari Glakuk Konjufca ka mbyllur punimet e Kuvendit për sot, për të vazhduar një ditë tjetër me pikat e mbetura nga seanca të mbajtura në muajin prill e maj.

PDK kërkon nga deputetët të mbështesin Projektligjin për Pensionet e policëve dhe punonjësve të IPK-së