Nuk mbahet seanca për vrasjen e Agonis Tetajt

Shaban Gogaj pritej që sot të sillej para gjykatës për t’u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për vrasjen e Agonis Tetajt.

Por me kërkesë të mbrojtjes së Shaban Gogaj, seanca e sotme është shtyrë nga trupi gjykues.

Seanca e radhës është caktuar për datën 7 maj 2021.

“Gjykata me parashtresë është njoftuar nga avokati Besnik Berisha me 19.03.2021 se nuk ka mundësi të marrë pjesë në seancë në këtë datë pasi që është amgazhuar në dy seanca të shqyrtimit gjyqësor për vrasje të rëndë për të cilat i kanë pranuar ftesat një muaj më parë”, tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova.

Më këtë parashtresë janë njoftuar të gjjtha palët në procedurë.

Vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan bëri bujë të madhe në të gjithë vendin në momentin kur u publikuan pamjet e vrasjes së tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Pas një kërkese të avokatit Besnik Berisha, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, kishte përjashtuar në tërësi Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit, duke dërguar lëndën në Prokurorinë e Gjilanit.

Agron Uka prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykata ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si vrasje nga pakujdesia.

Babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com publikoi një foto ku shihen avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Të nesërmen Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se pas videos dhe  dyshimeve për mostrajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetajt nga ana e prokurorit Agron Uka, u vendos që prokurori Uka të përjashtohej nga ndjekja penale e kësaj çështjeje dhe të njëjtën çështje t’ia kalojë një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Gjykata e Pejës kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor.

Disa ditë me pare edhe Fezullah Hasani kishte hedhur kritika në drejtim të Kryeprokurorit të Shtetit dhe gjyqësorit për trajtimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.

Hasani kishte deklaruar se veprimi i Kryeprokurorit për ndërrim të prokurorit të rastit pasi të rikualifkohet vepra nuk njihet dhe nuk është parë nga praktika gjyqësore.

Ai tutje kishte deklaruar se sipas tij në pamje vërehet se i akuzuari nuk kishte pasur fare target kur kishte qëlluar me armë.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar kundër deklaratave të ish- kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Sipas këtij reagimi, deklaratat e Fejzullah Hasanit përbëjnë ndërhyrje direkte në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës.

Arsyet e gjykatës për rihapjen e gjykimit të vrasjes së Agonis Tetajt