Greva e punëtoreve teknikë të Kuvendit të Kosovës më 16.09.2024. Foto:KALLXOc.com

“Nuk keni bërë asgjë për neve”, punëtoret teknike të Kuvendit refuzojnë të takohen me Komisionin për të drejta të njeriut

Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës të cilat janë në grevë tash e disa muaj, nuk kanë pranuar të takohen me deputetët e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut.

Ato nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit me arsyetimin se “Kuvendi deri tani nuk ka bërë asgjë për to”.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje deklaroi se i ka ftuar të marrin pjesë në ketë takim në mënyrë që të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje.

Në emër të punëtoreve teknike, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se tani po presin raportin e Inspektoratit të Punës.

“Faleminderit që keni dalë e na keni thirrë, ne tani çdo thirrje nga kryetari i Kuvendit, dhe të gjithë akterët tjerë ju themi nuk keni bë asgjë për neve, na keni lanë në -5 temperatura. Marre për të gjithë Kuvendin e Kosovës, tani nuk na nevojitet askush, na nevojitet raporti i Inspektoratit të Punës që konstaton që jemi gjithçka në rregull me ligjin”- ka thënë ai më 22.11.2024.

Deputetja Balje tutje tha se Komisioni mund të adresojë çështjen të Avokati i Popullit nëse konstatohet që ka shkelje të të drejtave të njeriut.

Ndërsa tha se Komisioni do të ftojë në takim edhe sekretarin e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të kompanisë të konstruktuar për mirëmbajtje.

“Ne e kemi lënë Kuvendin me gjet zgjidhje për ketë punë, nëse doni me hy brenda ne si Komision mendojmë që është shkelje e të drejtave. Ne ju kemi thirr me bisedu me neve me hi brenda me gjet zgjidhje. Na kemi me thirr avokatin e popullit, me konstatu që është shkelje e të drejtave. Na si deputet nuk kemi faj, ne kemi mëndu që mundemi me ndihmu në ketë mënyrë”- u shpreh ajo.

Që nga 16.09.2024, punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat e tjera, janë në grevë duke kërkuar rritje të pagave.

Kuvendi i Kosovës më 15.11.2024,ka lidhur kontratë të re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të institucionit.

Me marrjen e kontratës, Kompania Schafberger ka zëvendësuar punëtoret teknike greviste me punëtore të reja.

Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me kantatën e re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të institucionit.

Përmes një njoftimi, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se kontrata e fundit për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike është lidhur para nxjerrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro.

Kuvendi del më sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të institucionit