Nuk kalon rezoluta e PDK-së për zgjidhjen e çështjes së grevës

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur më çështjen e grevës në Kosovë.

Rezoluta e cila u hodh në votim sot pas dy javëve debat parlamentar ka marrë 22 vota për, 39 vota kundër dhe 6 abstenime.

Në votimin e kësaj rezolute morën pjesë 67 deputetë.

PDK përmes kësaj rezolute kërkoi nga Qeveria që në afat prej 48 orësh të zhvillojë negociatat e nevojshme me këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) apo personat e autorizuar deri në zgjedhjen përfundimtare të grevës.

“Kërkojmë nga Qeveria që në afat prej 5 ditësh nga miratimi i kësaj rezolute të përfshijë përfaqësuesit e BSPK-së në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave dhe të marrë në konsideratë kërkesat e tyre” – shtoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Një tjetër kërkesë e kësaj rezolute ishte që Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave.

Kuvendi i Kosovës dy të enjte radhazi ka zhvilluar debat parlamentar lidhur më grevën në Kosovë.

Greva e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka filluar grevën e përgjithshme më 25 gusht.

Njëra nga kërkesat e sindikalistëve është edhe rritja e pagës për 100 euro deri në miratimin e Ligjit për paga.