Nuk kalon rezoluta e LDK-së për reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në derivate

Me 24 vota për dhe 47 kundër nuk ka kaluar rezoluta e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

LDK ka kërkuar reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në derivate për një periudhë 3-mujore me mundësi vazhdimi për 3 muaj dhe që të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSH-së për tre muaj me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj tjerë varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Këto pika u prezantuan nga deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, i cili po ashtu ka kërkuar që pjesë e këtij votimi të jetë edhe teksti i LVV-së që Kuvendi i Kosovës të kërkojë nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikim e tij në çmimet e produkteve bazë si dhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese të ndalë përpjekjet për shfrytëzimin e kësaj situate nga abuzuesit.

Mirëpo, LVV nuk është pajtuar që të hidhet në votim edhe teksti i tyre.

Menjëherë pas votimit, deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shtuar se seanca do të vazhdojë nesër.