
Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com
Nuk kalon rezoluta e AAK-së për punën dyvjeçare të Qeverisë
Rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për punën dy vjeçare të qeverisë së Kosovës është votuar sot pas më shumë se pesë muajve prej kur është prezantuar në Kuvend.
Kjo rezolutë është hedhur poshtë pasi nuk mori votat e mjaftueshme për miratim.
“Për votuan 19 deputetë, kundër ishin 49 deputetë, kurse tre deputetë abstenuan. Prandaj konstatoj që bie poshtë, nuk kalon kjo rezolutë”- tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Prej prillit kur është prezantuar në Kuvend, votimi i kësaj rezolute ishte shtyrë disa herë edhe në koordinim me propozuesin.
Shefi Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha sot se asgjë nga rezoluta nuk është arritur.
Ai ka kritikuar qeverinë për problemet me zhvillimin ekonomik, ligjin e pagave etj.
“Kjo nuk ka më logjikë më u shty, le të vendoset në votim. Ne në muajin shkurt kemi kërku me u debatu për prioritetet e kësaj qeverie. Fatkeqësisht asgjë nga rezoluta nuk është arrite,. Vazhdon problemi me zhvillimin ekonomik, i ligjit të pagave, vlerës së koeficientit, vazhdon saga me dialog” – tha ai.
Në prill, për këtë rezolutë, Tahiri ka thënë se është alarm për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.