Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Nuk kalon propozimi që punëtoret shëndetësorë të hyjnë në grevë

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, në mbledhjen e sotme të mbajtur nga kryesia dhe këshilli drejtues ka propozuar që punëtoret shëndetësorë të fillojnë grevë.

Mirëpo, ky propozim nuk ka kaluar dhe nga ana e pjesëmarrësve është vendosur unanimisht që Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës t’i dërgohet një shkresë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, nënkryetari Duraku, i cili tregoi se shkresa do të dërgohet për mbështetje të kërkesave të infermierëve.

“Në kapacitet të nënkryetarit kam propozuar opsionin e grevës, mirëpo në sindikatën tonë vendimet merren në mënyrë kolegjiale si dhe më e arsyeshme si hap i radhës u vendos t’i drejtohemi KESH dhe Bordit me shkresë” – ka thënë Duraku.

Ai tha se personalisht konsideron që për këtë çështje t’i drejtohen Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Greva ishte paralajmëruar nga ana e nënkryetarit edhe para disa ditëve përmes një postimi në Facebook.

Duraku kishte thënë se greva duhet të mbahet me qëllim që të ruhet dinjiteti i infermierëve, të pengohet rritja e mëtejme e mbingarkesës me punë për infermierët dhe në të njëjtën kohë të sigurohet kujdesi cilësor dhe meritor për qytetarët.

25 shtator, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte mbajtur mbledhjen e dytë. Në këtë mbledhje, kryeministri kishte theksuar urgjencën e reformave të thella si dhe veprimeve të menjëhershme në përmirësimin e shërbimeve.

Në mbledhje e Komisionit, pjesëmarrësit ishin dakorduar që çdo orë kur mungon një profesionist shëndetësor gjatë orarit të tij të punës, të konsiderohet jo vetëm si një orë e vjedhur nga shteti, por edhe kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Anëtarët e Komisionit po ashtu ishin dakorduar që në mënyrë urgjente të rritet mbikëqyrja dhe kontrolli përmes Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Farmaceutik, në të gjithë sektorin shëndetësor, publik dhe privat, për të parandaluar e ndëshkuar shkeljet e detyrimeve ligjore që rezultojnë në dëmtim të pacientëve në shëndetin, integritetin apo dhe financat e tyre.

Por, Inspektorati Shëndetësor ka në dispozicion vetëm një veturë për inspektime dhe një staf prej 10 personave.

Përderisa dakordimi i fundit i anëtarëve kishte qenë që brenda dy muajve të miratohen aktet statutare dhe të hapet rruga për konkursin, i cili do ta bëjë QKUK-në me drejtor.