Mimoza Kusari- Lila, deputete

Nuk kalon propozimi i Kusari-Lilës për hidrocentralet

Rezoluta e propozuar nga deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, nuk është përkrahur nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse në sallën ishin 68 deputetë, propozimi i saj mori vetëm 22 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Kjo është hera e dytë që është hedhur në votim propozimi i saj, pasi që në herën e parë nuk kishte kuorum.

Kusari-Lila, e cila ka e nënshkruar thirrjen e interpelancës bashkë me nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”, kishte propozuar që të anulohet menjëherë vendimi i ZRrE-së.

“Anulimi i menjëhershëm i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 12.11.2020 me të cilin i jepen licenca afatgjate për 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes ‘KELKOS ENERGY’ sh.p.k për HC ‘Deçani’ dhe HC ‘Belaja’. Po ashtu anulimin e vendimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për dhënien e lejeve mjedisore dhe lejeve ujore për këtë kompani që kanë shërbyer si bazë justifikuese për këtë vendim të dëmshëm të ZRRE e cila dëmton ambientin dhe burimet e zonës”, ishte propozimi i saj.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.