Nuk kalon mocioni i opozitës për shkarkimin e tre anëtarëve të Bordit të RTK-së
Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur më 05.12.2024, ka hedhur në votim shkarkimin e tre anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), sipas mocionit të paraqitur nga PDK-ja.
Megjithatë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar kundër këtij mocioni.
I pari që u hodh në votim ishte anëtari i bordit të RTK-së, Biroll Urçan, por i njëjti nuk u shkarkua pasi propozimi për shkarkimin e tij ka marrë 56 vota kundër, katër për, dhe dy abstenime.
As anëtari tjetër i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri nuk u shkarkuar pasi propozimi për shkarkimin e tij ka marrë 54 vota kundër, tre për, dhe pesë abstenime
Emri i anëtarit tjetër që u hodh në votim për tu shkarkuar ishte Radojica Mrdjinac, por as ai nuk u shkarkua pasi propozimi për të mori 42 vota kundër, pesë për dhe 15 abstenime.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi se Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj, anëtarë të bordit të RTK-së, nuk mund të hedhen në votim pasi ata kanë dhënë dorëheqje në gusht të këtij viti.
Po ashtu, kryetari i Komisionit për media, Valon Ramadani nga LVV-ja, njoftoi se anëtareve Fatime Lumi – Qehaja dhe Albulena Mehmeti ju ka skanuar mandati më 3 dhjetor 2024.
Deputetët e tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur “mbytje të fjalës së lirë dhe mbytje të zërit opozitar”, mostransmetimin e seancës së jashtëzakonshme në kanalin kryesor të Radiotelevizionit të Kosovës më 16.10.2024.
Ata i bën thirrje drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të Bordit të televizionit që të japin dorëheqje nga këto pozita.
Deputetët opozitarë kanë kërkuar shkarkimin e anëtareve të bordit të RTK-së, përmes një mocioni në seancën e mbajtur më 04.11.2024.
Eliza Hoxha, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, ishte ajo që e ka parashtruar kërkesën e gjashtë deputeteve të kësaj partie për shkarkimin e bordit të mediumit publik në vend.
Lidhur me gjendjen e krijuar në RTK, ajo ka akuzuar qeverinë, e cila sipas saj, për gjatë këtij mandati ka cenuar lirinë e medias.
Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të RTK-së, mocioni nuk hidhet në votim në mungesë kuorumi
RTK ka hapur konkurs për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj. Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.
Dorëheqjet erdhën pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.
Boletini përmes një postimi në Facebook kishte thënë se “përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive”.
Anëtarja e bordit, Arta Berisha, kishte thënë se ka qenë e papranueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së.
Reagime e dorëheqje – çka ndodhi pas publikimit të artikullit të “Slobodna Bosna” në RTK?
Më 31.10.2024, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka emëruar Hysen Hundozin në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
RTK kishte mbetur pa udhëheqës kryesor të menaxhmentit pas dorëheqjes së zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Adi Krasta, më 28.10.2024 dhe dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, më 23.05.2024.
Ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj kishte dhënë dorëheqje, duke thënë se kjo vjen pas një presioni politik 7-mujor.
Ai kishte pretenduar se ishte ftuar në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – kishte thënë Ahmetxhekaj.
Pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt, u.d. drejtoreshë ishte emëruar Zana Spahiu, por edhe ajo u dorëhoq pas rreth dy javësh prej kur ishte emëruar.
Shënim: Artikulli u editua më 05.12.2024, ora 12:52.