Nuk kalon mocioni i LDK-së për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Me 22 vota për, 53 vota kundër dhe asnjë abstenim, ky mocion nuk ka kaluar në Kuvend.

Për ketë mocion kanë votuar 75 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

10 deputetë të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë parashtruar mocion për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

LDK me 27 maj zyrtarisht kanë dorëzuar nismën për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesues i Bordit në ZRRE është, Ymer Fejzullahu, anëtar te Bordit janë Izet Rushiti, Selman Hoti, Lutfije Dervishi, dhe Gani Buçaj.

Rregullatori i Energjisë është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë, si pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe është i ndarë në aspektin ligjor e funksional nga çdo person tjetër fizik a juridik.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se Bordi i ZRRE-së nuk ka arritur t`i përmbush objektivat dhe detyrat që t`i mbrojë interesant e qytetarëve të Kosovës.

“Në mënyrë të padrejtë kanë bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike, nuk janë transparent në ketë pjesë. Qytetarët e vendit janë duke e paguar ketë padrejtësi, edhe me shkrim ju kemi drejtuar Kuvendit që ky bord të shkarkohet dhe të emërtohet një bord profesional i pavarura nga politika”, ka thënë Zemaj.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra ka thënë se PDK javën e ardhshme do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Supremes për shtrenjtimin e rrymës.

Sipas Deliu- Kodra, vendimi i Gjykatës Supreme ka dëmtuar qytetarët e Kosovës.

“PDK javën e ardhshme do të dorëzojë në gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme sepse ne jemi të bindur që është vendim i pa arsyeshëm dhe vendim që ka dëmtuar qytetarët e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi, do ta vazhdojmë rrugën ligjore e juridike për të mbrojtur qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit ka vendosur ta pezullojë vendimin sipas të cilit ishte paraparë rritje e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka apeluar në Gjykatën Supreme vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës, i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.