Nuk kalojnë tri rezolutat e partive opozitare në Kuvend
Tri rezolutat e propozuara muajin e fundit nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë hedhur në votim më 30.10.2024, por asnjëra nga to nuk ka kaluar.
Në votimin e këtyre rezolutave morën pjesë vetëm deputetët e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk ishin të pranishëm në sallë.
Rezoluta nga debati parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari- Lila me Milan Radoiçiq, e thirrur nga PDK-ja nuk është miratuar me 60 vota kundër dhe një për.
As votimi i rezolutës nga debati parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës nuk u miratua. 61 deputetë votuan kundër.
Njëjtë ndodhi më rezolutën nga debati parlamentar për skandalet dhe keq menaxhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila u propozua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Të pranishëm në sallë kur u hodh rezoluta në votim ishin 61 deputetë dhe të gjithë votuan kundër.