Ilustrim

"Nuk ka termine të lira për vizë Schengen deri në shtator"

Udhëtarët nga vendet joanëtare të BE-së që kanë nevojë për vizë Shengen për të hyrë në Zonën Shengen, mund të detyrohen të anulojnë ose ndryshojnë planet e tyre të pushimeve verore nëse nuk kanë marrë ende vizë, pasi nuk ka termine të lira deri në shtator.

Menjëherë pasi vendet e Bashkimit Evropian/Zonës Shengen vendosën të lehtësojnë kufizimet e tyre për COVID për verën, udhëtarët e vendeve të treta që kishin nevojë për vizë për të hyrë në BE / Zonën Shengen aplikuan për një të tillë.

Megjithatë, për shkak të kërkesës së madhe, ata që nuk kanë aplikuar ende, me shumë mundësi nuk do të mund të gjejnë termine të lira deri në mes të shtatorit, raporton SchengenVisaInfo.com.

Drejtuesit e kompanive të udhëtimit kanë zbuluar se aktualisht, 26 vendet e Zonës Shengen nuk kanë termine të lira për korrik dhe gusht. Është shpjeguar se disa vende mund të kenë disa termine të lira për gusht. Megjithatë, shumica e tyre nuk kanë asnjë termin të lirë deri në shtator.

Një gjë e tillë po ndodh pasi ambasadat nuk po arrijnë të plotësojnë kërkesën e madhe për shkak të numrit fiks të vizave që mund të lëshojnë.

Meqenëse nuk ka termine për viza deri në mes të shtatorit, kompanitë e udhëtimit kanë vënë në dukje se shumë udhëtarë të vendeve të treta po shqyrtojnë destinacione të tjera si Malajzia, Tajlanda, Indonezia, Egjipti dhe Turqia, ndër të tjera.

Kështu, Evropa mund të regjistrojë një numër më të vogël turistësh që kanë nevojë për vizë këtë vit pasi ata po zgjedhin destinacione të tjera për të shmangur pengesat e vizave.

Në muajt e mëparshëm, ambasadave iu desh shumë kohë për të përpunuar aplikimet për viza. Megjithatë, ky nuk është më rasti për shumicën pasi ata kanë punësuar staf shtesë. Në përgjithësi, aplikimet për viza janë duke u përpunuar dhe përgjigjet shpejt – brenda një periudhe prej 15 ditësh pune.

Viza Shengen është një vizë me qëndrim të shkurtër që lejon një person të hyjë në çdo vend të zonës Shengen për një periudhë deri në 90 ditë për qëllime turistike ose biznesi.

Të gjithë personat që janë shtetas të një vendi që nuk ka liberalizim të vizave ose një marrëveshje të ngjashme me vendet e zonës Shengen duhet të marrin një vizë përpara se të udhëtojnë në BE. Në varësi të arsyes së udhëtimit, një person mund të aplikojë për lloje të ndryshme të vizave.