Flamuj të Serbisë në Mitrovicën Veriore - Foto: REL/Reuters

Nuk ka shenja se do të mblidhet tatimi në pronë në Komunën Mitrovicës së Veriut

Komuna Mitrovicës Veriore, as në vitin 2021 nuk kishte filluar të grumbulloj të hyrat nga tatimi në pronë. Kjo për shkak se nuk është krijuar politikë për zbatimin e ligjit për këtë lloj tatimi të rëndësishëm për komunën, dhe nuk pati veprime konkrete. Auditori thotë nuk ka shenja se do të mblidhen të hyra nga tatimi në pronë, pasi ndër vite ka dhënë rekomandim për këtë çështje.

“Komuna nuk ka planifikuar të hyrat nga tatimi në pronë në buxhetin e vitit 2021 sepse ende nuk kanë arritur të formojnë një shërbim të tatimit në pronë (nuk kanë menaxher të tatimit në pronë, as zyrtarë të anketimit, apo zyrtarë të trajnuar për përdorimin e sistemit të protaxit, etj.). Gjithashtu, nuk kanë bërë identifikimin e pronës në mënyrë që më pas të bëjnë regjistër të pronës. Edhe pse procesi i inventarizimit të pronave filloj në vitin 2014, me mbështetjen e Agjencisë Katastrale të Kosovës, Komuna ende nuk ka përfunduar atë”, thuhet në gjetjen e raporti.

Sipas auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak se komuna ende nuk ka krijuar një politikë për zbatimin e ligjit dhe nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për mbledhjen e të hyrave nga këto aktivitete që kanë një ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit komunal.

Auditori më tej shton se nuk ka shenja që do të ndërmerren masa për mbledhjen e këtij lloji të të hyrave.

“Për më tepër, nga aspekti i auditimit, çështja dhe rekomandimi është përsëritur ndër vite, megjithatë nga komuna nuk ka shenja për ndërmarrjen e masave konkrete”, shton Auditori.

Tatimi në pronë është tatim i decentralizuar në nivelin komunal dhe mos zbatimi i ligjit dhe rregulloreve për mbledhjen e tatimit në pronë, nuk realizohen të hyrat gjë që ndikon drejtpërdrejt në arritjen e qëllimeve të komunës.

Të parit të komunës ju rekomandua të sigurohet që zbatohet ligji mbi tatimin në pronë, hartohen rregullore dhe të funksionalizoj shërbimin komunal për këtë lloj tatimi.

“Kryetari duhet të sigurojë zbatimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, si dhe hartimin e një rregulloreje të brendshme për përcaktimin e shumës së tarifave. Gjithashtu, Kryetari duhet ta bëjë funksional shërbimin komunal të tatimit në pronë dhe përmes komunikimit pro aktiv të ndikojë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e tatimit në pronë dhe përfitimet që kanë vetë qytetarët”, rekomandon Auditori.

Auditori përmend nenin 2 të ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pasuri të paluajtshme ku  thotë qartë se çdo organizatë buxhetore duhet të mbledhë të hyrat nga tatimi në pronë.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 4 maj 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Veriut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.

KALLXO.com ka shkruar edhe më parë lidhur me hezitimin për grumbullimin e të hyrave nga tatimi në pronë nga Komunës Mitrovicë e Veriut dhe komunat tjera në veriun e Kosovës të cilat nuk e zbatojnë këtë ligj.

Më 2021 nga mbi 36 milionë euro nga tatimi në pronë, asnjë cent nga komunat veriore