“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”- Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist vendos mbishkrime në mure të institucioneve
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist sonte ka vendosur në muret e institucioneve dhe hapësira publike në Prishtinë mbishkrime për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj grave dhe vajzave.
“Nuk mund të ketë paqe pa sigurinë e grave”, “Armiku i grave-patriarkati!”, “Për gratë në Kosovë çdo ditë është luftë!”, “53 përdhunime për gjysmë viti të revoltohemi”, janë disa nga mbishkrimet që janë vendosur nëpër mure.
Përmes një komunikate për media, Kolektivi Feminist thotë se në gjashtë muajt e fundit në Kosovë janë përdhunuar 53 vajza dhe gra.
“Në gjashtë muajt e fundit në Kosovë janë përdhunuar 53 vajza dhe gra. 53 të përdhunuara, qindra të tjera të ngacmuara e sulmuara seksualisht, e mijëra nga ne të cilat jetojmë çdo ditë si të ishte luftë. Për shumë nga ne, përditshmëria është e shoqëruar me frikë. Për shumë nga ne, çdo ditë është luftë”- thuhet në komunikatë.
Kolektivi Feminist thotë se nga rrugët e Prishtinës thërrasin mobilizim dhe angazhim mbarëshoqëror për “zhbërjen e strukturave patriarkale që po prodhojnë dhunë, burra përdhunues e një shoqëri apatike”
“Megjithatë, kjo frikë nuk duhet të përdoret si mjet për të na disiplinuar neve, për të na bërë më të kujdesshme a vigjilente në mos hasim në dhunues e shoqërinë indiferente ndaj problemit. Kjo gjendje dhune është duke e qeverisur shoqërinë tonë, andaj duhet t’i kundërvihemi me organizim. Nga rrugët e Prishtinës, ne thërrasim në mobilizim dhe angazhim mbarë shoqëror në zhbërjen e strukturave patriarkale që po prodhojnë dhunë, burra përdhunues e një shoqëri apatike. Thërrasim në revoltë kolektive dhe solidarizim me të gjitha/ë të mbijetuarave/ëve të dhunës”- bëhet e ditur në njoftim.