Nuk ka marrëveshje për targat, në Bërnjak e Jarinjë vazhdohet puna njëjtë

Dhjetëra vetura janë parë derisa kalonin nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas ndërsa vazhdonte ende vendosja e letrave ngjitëse nëpër autmjete për të mbuluar simbolet shtetërore të të dy shteteve. 

Kjo në bazë të marrëveshjes së përkohshme, e cila kishte hyrë në fuqi më 4 tetor, pas bisedimeve e protestave që ishin mbajtur në veri.

Gjatë ditës së sotme ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në afërsi të dy pikave kufitare, Në Bërnjak dhe Jarinjë, dhe ka parë nga afër punën e zyrtarëve policorë.

Zyrtarët policorë kufitarë kujdeseshin që çdo veturë që kalonte përmes pikave kufitare Bërnjak e Jarinjë të pajiseshin me letrat ngjitëse në mënyrë që të lejonin hyrjen e qytetarëve në Kosovë por edhe atyre që ishin duke shkuar në Serbi. 

Vetëm pak metra më poshtë në stacionet kufitare që janë vendosur muajve të fundit, ishin vendosur edhe disa autoblinda. 

Këto të fundit janë dërguar në këto zona pas disa sulmeve të cilat raportoi Policia e Kosovës se janë bërë ndaj tyre, me granatë e kallashnikovë. 

Ndonëse marrëveshja e përkohshme përfundoi dje, policia kufitare vazhdoi ngjashëm të punonte me letërat ngjitëse. 

Siç mësoi KALLXO.com gjatë kohës sa ishte në veriun e Kosovës, nuk pati ndonjë incident të raportuar me qytetarët të cilët duhej të vendosnin letërat ngjitëse për të mbuluar simbolet shtetërore të Kosovës e Serbisë. 

Përgjatë rrugëve që çojnë në Jarinjë e Bërnjak ekipi i KALLXO.com pa patrullime të vazhdueshme të Policisë së Kosovës, në bazë të detyrave dhe përgjegjësive që kanë për të mbajtur rend dhe siguri. 

Gjatë ditës së sotme, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se përderisa dje nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë regjimi i letrave ngjitëse në targat e automjeteve.

Stano ka shprehur keqardhje për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje dje.

“BE-ja shpreh keqardhjen që dje nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave mes dy kryenegociatorëve. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i letrave ngjitëse vazhdon të zbatohet”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje erdhi një ditë pasi në Bruksel, Kosova dhe Serbia dështuan të arrinin një marrëveshje sa i takon cështjes së targave të automjeteve. 

I njëjti tha madje edhe se pret që palët të takohen sërish ditëve në vijim. 

Kryenegociatori për Kosovën në këtë çështje, Besnik Bislimi pas përfundimit të takimit të ditës së djeshme tha se nuk ka pasur asnjë propozim nga grupet punuese, duke fajësuar Serbinë për mungesë të gatishmërisë apo përzgjedhjen e një opsioni më të preferuar.

Zv.kryeministri theksoi se nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm nga Kosova dhe se gjithçka do të jetë në funksion të rendit dhe ligjit.

“Tani është vendim politik që do të marrin por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, gjithçka do të jetë e përgatitur mirë, në funksion të rendit dhe ligjit. Ne do të trajtojmë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabela që kanë qenë funksionale do të ofrohet një opsion si do të kalojmë te targat normale”, tha ai para mediave.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë ditës së djeshme tha se në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, regjimi i mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa do të vazhdojë.

Kosova dhe Serbia dështuan të arrinin një marrëveshje për targat, gjatë takimit të mbajtur më 21 prill në Bruksel, në ditën kur skadon afati i marrëveshjes së përkohshme për targa, që u arrit më 30 shtator.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai dje.

Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar për shkak të vendimit për masat e reciprocitetit pati protesta për 13 ditë radhazi nga ana e qytetarëve serbë, të përkrahur edhe nga zyrtarë të Listës Serbe. 

Me automjete e makineri të rënda, qytetarët serbë të zonave përgjatë Leposaviqit e Zubin Potokut kishin bllokuar rrugët kryesore që të dërgonin drejt këtyre dy pikave kufitare. 

Edhe atë kohë KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për të gjitha zhvillimet që kishin ndodhur në ato dy zona, që konsideroheshin zona sensitive. 

Pas 13 ditë protestash, u arrit një marrëveshje e përkohshme për çështjen e targave të automjeteve. 

Nga këto protesta erdhi edhe marrëveshja që veturat që hynin në Kosovë nga Serbia dhe anasjelltas të mbulonin simbolet shtetërore të dy vendeve me letra ngjitëse.

Krejt çka ndodhi nga 20 shtatori, deri në largimin e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak