Nuk ka kuorum për të votuar për gjyqtarë të Kushtetueses, Kuvendi shkon në pauzë

Në mesin e zhurmës së krijuar nga deputetët e opozitës për shkak të protestës brenda Kuvendit të Kosovës, të cilët po godisnin tavolinat me dorë dhe me shishe uji, Kuvendi ka dështuar që të hedh në votim procesin zgjedhjes së dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Të pranishëm në sallë ishin 82 deputetë, mirëpo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca konstatoi se nuk ka kuorum për të votuar për këtë procedurë.

Ai shtoi se Kuvendi do të shkojë në pauzë deri në orën 12:30 për të vazhduar më pas.

“Nuk ka pasur kurorum për të votuar për këtë procedurë kështu që shkojmë në pauzë deri në orën 12:30”, deklaroi Kojufca.

Në këtë seancë pika e 3-të është propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, i cili kishte dështuar dy here.

BIRN ka monitoruar procesin e zgjedhjes së dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim.

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.

VIDEO – Mërgim Lushtaku pengon fjalimin e Hekuran Muratit, e ‘godet’ me shishe foltoren e Kuvendit