Nuk ka deputetë për ta votuar rezolutën kundër dhunës në familje

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet, pasi nuk kishte kuorum për të vazhduar me pikat e rendit të ditës.

Gjatë kësaj dite Kuvendi ka diskutuar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Por, në fund të debatit nuk kishte kuorum për t’u votuar 7 pikat e rezolutës pasi ishin vetëm 58 deputetë në sallë.

Deputetja e LDK-së Vlora Hajnuni Limani, ka shtuar edhe dy pika tjera në rezolutën të dala nga debati parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Pikat e rezolutës:

  1. Marrja parasysh e gjitha rekomandimeve të kuvendit dhe përfshirja e tyre në ligjin e ri për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore e cila është në fazën e hartimit.
  2. Koordinimi më efektiv të mekanizmave institucional shtetëror me organizata të shoqërisë civile dhe fondeve të dedikuara për dhunën në familje.
  3. Të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit për financat e pushtetit lokal dhe themelimi i garantit specifik për shërbime sociale i cili përveç tjerash do të ndihmonte edhe në rehabilitimin dhe ri integrimin e viktimave të dhunës në familje.
  4. Të bëhet monitorimi dhe raportimi periodik në baza vjetore të ekzekutivit para Kuvendit të Kosovës
  5. Të aplikohet drejtësi e pa anshme dhe efektive nga institucionet e rendit dhe ligjit për viktimat e luftës në familje.
  6. Të ketë financim emergjent të strehimoreve për së paku 3 muajt e fillimit të vitit të ardhshëm dhe dhjetorit të këtij viti dhe qendrave ditore ku mund të trajtohen viktimat e dhunës dhe fëmijët e tyre dhe
  7. Të sigurohet financim i qëndrueshëm për strehimoret të cilat strehojnë viktimat e dhunës dhe fëmijët e tyre.